15:22 / E Martë, 28 Janar 2020 / indeksADMonline

Vetëvendosje: Ambasadorët e QUINT-it u ftuan në dakordim me LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar publikisht lidhur me ftesën drejtuar ambasadorëve të QUINT-it dhe Shefes së Misionit të BE-së në Kosovë për një takim të mundshëm në mes drejtuesve të kësaj Lëvizje, ambasadorëve dhe drejtuesve të LDK-së.

Erzen Vrasniqi, drejtues i Sekretariatit për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se ftesa në drejtim të ambasadorëve të QUINT-it është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm, transmeton Indeksonline.

Vraniqi theksoi se ftesa u bë në dakordim me LDK-në.

Tutje ai tha se ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë.

Postimi i plotë:

Në fund të takimit të mbrëmshëm ndërmjet LVV dhe LDK, kishte dakordim që sot ose nesër të ftohen në takim edhe ambasadorët e Quintit si dhe Shefja e Misonit të BE-së në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe në komunikimin me tekst që ka pasur kryetari i LVV Kurti me kryetarin e LDK Mustafa mbrëmë në ora 19:30. Kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm. Ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë.