20:37 / E Mërkurë, 12 Gusht 2020 / indeksADMonline

Vetëvendosje ende në pritje të 9 nënshkrimeve për ta dorëzuar mocionin e rrëzimit të Qeverisë Hoti

Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje në javën që shkoj, më  7 gusht përmes një konference për medie ka njoftuar se do të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, shkruan IndeksOnline.

Mirëpo  edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga ky moment, Vetëvendosje ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ana e deputetëve të partive të tjera nëse do të japin nënshkrimin e tyre në lidhje me dërgimin e këtij mocioni në Kuvend.

Këtë për IndeksOnline e kanë konfirmuar nga Zyra për medie e Vetëvendosjes, duke shtuar se tashmë nëpër zyret e grupeve parlamentare kanë dërguar tekstin me arsyet e nisjes se këtij mocioni.

“Me 7 gusht LV mbajti konferencë për media me ç’rast njoftoi mediat dhe opinionin publik se po fillon mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e kësaj qeverie që po e çon vendin në katastrofë humanitare. Por, paraprakisht nëpër zyret e grupeve parlamentare kemi dërguar tekstin me arsyet e nisjes së mocionit së bashku me ftesën për t’u bashkërenduar për këtë gjë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për medie të VV-së.

Tutje theksohet se ky subjekt politik ka lënë të hapur mundësinë që teksti të ndryshohet  dhe se mund edhe të shtohen arsye të tjera se pse duhet rrëzuar qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma.

Mirëpo përkundër kësaj në adresë të Vetëvendosjes ende nuk ka ardh ndonjë përgjigje nga deputetët e partive të tjera.

“Deri tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje ani pse kemi parë shumë deklarata të subjekteve të caktuar si ajo në opozitë si edhe disa partnerë të koalicionit që janë shprehur hapur me qëndrime të ndryshme përbrenda koalicionit”, thekson përgjigja nga Vetëvendosje.

Subjekti i Albin Kurtit ka 31 deputetët, e që nuk janë të mjaftueshëm që  ky mocion të kalojë pragun e parë për tu hedhur në rend dite në ndonjërën nga seancat e ardhshme.  Vetëvendosjes i duhen t’i përgjigjen pozitivisht edhe 9 deputetë të partive të tjera.

Në anën tjetër kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, që është zë i fuqishëm kundër kësaj qeverie, në lidhje me atë se a do ta mbështes këtë mocion të Vetëvendosje ka deklaruar se ky koalicion nuk është stabil, por se ende nuk ka diskutuar me partinë e Kurtit.

“Koalicioni qeverisës nuk ka qenë i qëndrueshëm që nga dita e parë sepse siç e dini disa nga votat që janë bërë me presion të drejtpërdrejtë…njëra nga votat ka qenë me presion antikushtetues, kur për tjetrën do të presim vendimin final nga ana e Gjykatës Kushtetuese nëse ajo do të mund të numërohet…Ende nuk e kemi biseduar këtë çështje për shkak të agjendës së ngjeshur”, kishte thënë Osmani gjatë një vizite të bërë dje në Mitrovicën e Jugut.

Brenda LDK-së ka edhe emra të tjerë e që janë skeptik për  Qeverinë Hoti. Në mesin e tyre janë Haxhi Avdyli e Ardian Shala.

Të kontaktuar nga IndeksOnline asnjëri prej tyre nuk janë përgjigjur nëse do të japin votën e tyre pro këtij mocioni. Ndërsa deputeti Fatmir Rexhepi i cili ka abstenuar gjatë votimit të Qeverisë Hoti, për IndeksOnline ka deklaruar se prioritet i tij mbetet rimëkëmbja ekonomike, meqë vendi tani i kapluar nga pandemia, është në një krizë ekonomike dhe se me çështjen e mocionit njëherë nuk po merret.

 Që mocioni të ketë sukses  në Kuvendin e Kosovës duhen vota pro të  61 deputetëve./IndeksOnline/