Vetëvendosje kërkon mbajtjen e zgjedhjeve, në Podujevë dhe veri të Mitrovicës

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që zgjedhjet në Podujevë dhe veri të Mitrovicës të mbahen sa më shpejt. Anëtarët e kësaj partie që janë pjesë e KQZ-së i kanë dërguar një shkresë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) me kërkesë që të bëjnë vlerësimin e situatës epidemiologjike, por thonë se ajo nuk është protokolluar në KQZ, që sipas tyre është veprim i kundërligjshëm. Sipas Vetëvendosjes, është KQZ-ja institucioni që po pengon mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna të cilat aktualisht janë pa kryetarë.
Sami Kurteshi thotë se po presin përgjigje nga IKSHPK-ja, duke theksuar se në mars të këtij viti, ky institucion i ishte përgjigjur KQZ-së brenda 12-orësh për çështjen e organizimit të zgjedhjeve në Podujevë.
Anëtarët e KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes i kanë shkruar edhe Naser Ramadanit, duke i kërkuar të rivlerësojë gjendjen në Kosovë dhe të tregojë se a është e mundur të mbahen zgjedhjet në këto dy komuna dhe nën cilat masa.
“Atë kërkesë e kemi bërë unë dhe zoti Rama, pasi që KQZ-ja ka kundërshtuar me votë që të dërgojë vetë një kërkesë në IKSHP, më e keqja është se kryeshefi tani zgjedhur, që nuk po e dimë ende a është kryeshef apo jo, bashkë me kryesuesen nuk lejojnë bashkëpunëtoren e sekretariatit që të protokollojë kërkesën që dy anëtarët e KQZ-së e kanë nënshkruar për ta dërguar në IKSHP. Tani e katër ditë ne nuk kemi ndonjë përgjigje nga IKSHPK-ja lidhur me këtë çështje edhe pse në mars kur është bërë kërkesa nga KQZ-ja, në mars KQZ-ja ka bërë kërkesë, por tani nuk do të bëjë kërkesë sepse është kundër kompetencave të saj, atëherë e kanë dërguar përgjigjen brenda 12-orëve, e tani u bënë katër ditë dhe nuk kemi ndonjë përgjigje”, thotë Kurteshi.
Sipas tij KQZ-ja po përpiqet në çdo formë që qytetarëve të këtyre dy komunave t’u mohohet e drejta për votë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pikërisht organi kushtetues në Republikën e Kosovës që duhet ta realizojë të drejtën e qytetarëve për shprehjen e vullnetit demokratik me zgjedhje. KQZ-ja është institucioni që pengon në të gjitha format e mundshme, me të gjitha arsyetimet e mundshme moslejimin, mohimin e të drejtës së votës në Kosovë. KQZ-ja në të vërtetë me veprimet e veta së paku në shtatë muajt e fundit e ka humbur kuptimi ne ekzistencës së vet”, tha Kurteshi.
Kurteshi shton se KQZ-ja me votë po bllokon edhe publikimin e raporteve financiare të partive politike dhe aplikacionin për regjistrimin e diasporës për votim në Kosovë.