75 Mall Live Search
16:50 / E Mërkurë, 04 Qershor 2025 / Z S

Vetëvendosje merr masa ndaj zyrtarit që u arrestua për tregti me drogë

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë zhvilluan një aksion kundër rrjetit të trafikimit të drogës.

Në këtë aksion u arrestua edhe një person që në disa foto që u publikuan ditën e djeshme u pa i afërt me zyrtarë të lartë të VV-së.

Mirëpo lidhur me këtë kanë reaguar nga Lëvizja Vetëvendosje. Vetëvendosje ka bërë të ditur se tashmë kanë marrë masa ndaj zyrtarit që u arrestua ditën e djeshme.

Reagimi i plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! përshëndet dhe mbështet aksionin e gjerë të arrestimit të rrjetit të trafikimit të drogës të kryer këto ditë nga Policia dhe Prokuroria në kordinim me Europolin. 

Ne inkurajojmë secilin anëtarë, por edhe qytetarët e vendit që të sinjalizojnë çfarëdo fenomeni të tillë në Policinë e vendit.

Paçka se duam të njoftojmë se si Lëvizjes VETËVENDOSJE! jo rrallë herë kemi bërë denoncime të tilla përmes anëtarëve e aktivistëve tanë. E njëjtë do të vijojmë të bëjmë.

Në anën tjetër, nga mediat kuptuam se njëri prej 22 arrestuarve është aluduar si i afërt me subjektin tonë. Ndonëse nga Prokuroria apo Policia nuk kemi parë asnjë informatë zyrtare me të dhënat personale të të arrestuarve.

Megjithatë pas këtij informacioni ne menjëherë kemi verifikuar emrin për të parë nëse i njëjti ekziston në databazën tonë.

Në këtë mënyrë, për korrektësi, në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni ynë disiplinor ka marrë vendim për largimin e personit me emrin e njëjtë. Ky vendim qendron në fuqi deri në sqarimin e verifikimin e plotë nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë me atë të organeve të drejtësisë.

Edhe njëherë, Lëvizja VETËVENDOSJE! fton të gjithë anëtarët sikurse edhe qytetarët që të denoncojnë pa asnjë hezitim dhe pa kompromis çfarëdo informacioni e personi për çdo veprimtari ilegale, në dëm të rendit publik, shëndetit e sigurisë.