75 Mall Live Search
14:34 / E Mërkurë, 23 Dhjetor 2020 / OSH

Vetëvendosje s’e voton buxhetin, Murati thotë se nuk komunikohet me qeveri në detyrë dhe ilegale

Brenda një viti në Kosovë janë shkarkuar dy qeveri. E para ajo e Albin Kurtit pas 51 ditësh qeverisjeje nga një mocion i ngritur nga ish-partneri i saj LDK-ja, e dyta Qeveria e Avdullah Hotit, e cila të hënën në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese u cilësua si jo legjitime, shkruan IndeksOnline.

E pas tërë kësaj situate, gjykata ka lënë vetëm një mundësi, dërgimin e vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda afatit prej 40 ditësh.

Mirëpo tashmë diskutabile mbetet votimi i projektbuxhetit të shtetit për vitin 2021, e nga i cili varet stabiliteti ekonomik në vend.

Në vazhdën e konsultimeve që po i bën ushtruesja e detyrës e presidentes Vjosa Osmani me krerë e përfaqësues politikë, nga ato që i të takojnë koalicionit qeveritar po kërkohet që para se të shpërndahet Kuvendi, deputetët të votojnë këtë projektligj.

Por kështu nuk mendojnë në partinë e Albin Kurtit.

Sipas tyre vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje e pastaj një Qeveri legjitime të dorëzojë në Kuvend buxhetin, i cili do të votohej më pas nga përbërja e re parlamentare.

Hekuran Murati në një prononcim për IndeksOnlinen, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk komunikon me Qeverinë në detyrë.

Madje sipas tij  nga kjo Qeveri është e pamundur që të hidhet në votim projektbuxheti.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk komunikon me Qeverinë në detyrë. Kjo gjë është parë  në rastin e Ligjit antiCovid kur kryesia e Kuvendit nuk pranonte ta procedonte projektligjin për shkak se kishim një Qeveri në detyrë. Andaj është e pamundur që ky projektligj i një Qeverie në detyrë, e për më tepër edhe ilegale e antikushtetuese, të hidhet në votim në Kuvend”, tha Murati për IndeksOnline.

Në një situatë të tillë ajo çka tashti është e domosdoshme sipas Murati është që sa më parë të caktohet data e zgjedhjeve në mënyrë që pastaj buxheti të dorëzohet me kohë.

“Kështu që është e domosdoshme që data e zgjedhjeve të caktohet sa më herët që është e mundshme, me qëllim që një Qeveri e re me legjitimitet të plotë të mund të dorëzojë buxhetin e ri në kohë”, nënvizoj Murati.

Nga ana tjetër nga Zyra e kryeministrit për IndeksOnline  kanë thënë se Hoti është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si edhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin. 

“Kryeministri Hoti vlerëson se buxheti është parakusht për krijimin e paketës së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, përkatësisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19”, tha për IndeksOnline Antigona Baxhaku, këshilltare Politike.

Buxheti më së largu duhet të votohet deri në muajin mars, ndryshe vendi rrezikon të hyjë në krizë financiare./IndeksOnline