Vetëvendosje si rrallë herë takon Policinë, para protestës të së shtunës
Lëvizja Vetëvendosje ka patur një takim me drejtues të Policisë së Kosovës, para protestës të së shtunës. Në njoftimin e këtij takimi, thuhet se protesta e 29 shtatorit do të jetë paqësore.
“Dje, unë dhe koordinatori i Sekretariatit të Përgjithshëm Kreshnik Ahmeti, pritëm në takim përfaqësues të Policisë së Kosovës, të prirë nga Drejtori i Stacionit Policor ”Qendra” në Prishtinë, Major Shkelzen Xhafa.
Në këtë takim ne e njoftuam Policinë e Kosovës për itinerarin dhe marshutën e protestës së 29 shtatorit. Së bashku u dakorduam që të jemi të koordinuar për të siguruar mbarëvajtjen e qetë të protestës të shtunën më 29 shtator.
Protesta e së shtunës do të jetë protestë paqësore gjithëpopullore në kundërshtim të pazareve me Serbinë dhe aventurave kokë në vete të presidentit Thaçi, që nuk ka as legjitimitet, as kompetencë e as autorizim: thuhet në njoftim./Indeksonline/