Vetëvrasja e 37-vjeçarit/ Policia arreston dy të dyshuar, i treti shpallet në kërkim

Dy persona janë arrestuar të martën në rajonin e Lipjanit si të dyshuar për shtytje në vetëvrasje të 37-vjeçarit, B.Salihu.
I riu u gjet i vetëvrarë mëngjesin e djeshëm në Graçanicë ku policia menjëherë doli në vendngjarje dhe filloi hetimet, transmeton IndeksOnline.
“Një mashkull kosovar, ka raportuar se ka vërejtur një person që dyshohet pa shenja jete. Njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.
Policia ka njoftuar se lidhur me rastin, në koordinim me prokurorin dhe me urdhër të gjyqtarit është bërë bastisja në dy lokacione të ndryshme, ku në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente, ndërsa në lokacionin e dytë në shtëpinë e dy të dyshuarëve meshkuj kosovarë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që ndërlidhet me rastin.
“Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i tretë pasi që nuk është hasur në shtëpi gjendet në kërkim policor”, ka bërë të ditur policia./IndeksOnline/