18:34 / E Diele, 25 Tetor 2020 / Blerim

Vetura godet këmbësorin në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë

Një aksident ka ndodhur sonte mes një makine dhe një këmbësori, ku për pasojë makina ka goditur këmbësorin duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sot rreth orës 17:45, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në rrugën ‘Mon Balaj”, afër Qendrës së Mjekësisë Familjare, një këmbësor është goditur nga një veturë në lëvizje, ka bërë të ditur  për Indeksonline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha.

Ai ka thënë se njësitë patrulluese kanë dalë në vendngjarje për të trajtuar rastin dhe për t’i kryer hetimet e nevojshme.

“Të gjitha ekipet tjera relevante janë informuar, përfshirë edhe ndihmën e shpejtë”, ka thënë Hoxha.

Menjëherë pas aksidentit, të lënduarit i është dhënë ndihma parë dhe më pastaj është dërguar për tretman mjekësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kohëve të fundit janë shpeshtuat aksidentet në Prishtinë, ku veturat janë duke i goditur qytetarët, gjatë ecjes nëpër trotuare, apo në vende të shënjuara për kalimin e këmbësorëve.