75 Mall Live Search
11:13 / E Mërkurë, 12 Shkurt 2025 / LB

Video/ Rashiq thotë se është shumë afër të sigurojë një mandat, tregon me kë do të bashkëpunonte

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq ka thënë se persona të panjohur kanë telefonuar mbrëmë komisionerët dhe vëzhguesit e tij dhe iu kanë ofruar atyre shuma të mëdha të parave për t’i anuluar votat e partisë së tij.

Rashiq në një prononcim për IndeksOnlinen, ka thënë se ka kërkuar nga KQZ-ja që të kenë një vëmendje të shtuar për sa i përket mbrojtjes së votës.

“Isha në KQZ, ku i njoftova për brengen time se persona të caktuar kanë telefonuar bashkëpunëtore të mi, të cilët janë angazhuar si komisioner të partisë sime, e të cilët kanë pranuar thirrje nga njerëz të panjohur që ofrojnë shuma të mëdha të parave për të anuluar votat tona. Unë e kuptova se ky është një organizim dhe jo një rast individual. Ndaj kërkova nga KQZ-ja që të kenë një vëmendje të shtuar, sa i përket mbrojtjes së votës dhe e mora një premtim nga ana e tyre se do të angazhohen maksimalisht që të mos anulohet asnjë votë”.

Ministri aktual për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës thotë se është shumë afër që ta sigurojë një mandat në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

I pyetur se në rast se sigurojnë një mandat të Kuvendit të Kosovës, me cilat parti preferon koalicionin, Rashiq thotë se s’ka preferenca por normale është që adresa e parë të jetë z. Kurti, pasi kanë bashkëpunuar deri tani, por nuk ka kurrfarë barrierë për marrëveshje edhe partitë e tjera që janë prezentë në Kosovë.

Lista Serbe po pretendon se ka fituar 10 mandate në Kuvendin e Kosovës, aq sa i takojnë komunitetit serb./IndeksOnline/