11:24 / E Premte, 03 Gusht 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Pala që e refuzon dialogun në Bruksel, do të dal humbëse (Video)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur edhe sot një konferencë për media, në të cilën ka folur për zhvillimet e fundit lidhur me dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se përkundër keqinformimit dhe deklaratave të ndryshme, skenarëve etj, e konsideron të dobishëm një debat publik e institucional për këtë proces kaq të rëndësishëm për Kosovën, raporton Indeksonline.

“Vetëm duke debatuar hapur, duke analizuar me kujdes të gjitha opsionet e mundshme dhe duke marr guxim të diskutojmë hapur e për tema që janë konsideruar tabu, ndoshta do të gjejmë një zgjidhje që do të ishte në përputhje me interesin tonë”, ka thënë Thaci.

Sipas tij, Kosova i ka institucionet e saja të cilat duhet ti përmbushin obligimet e tyre sa i përket dialogut.

“Parlamenti, është institucioni kryesor që do ta ketë fjalën përfundimtare për ratifikim apo mosratifikimin e një marrëveshje që do të rezultojë në fund të këtij procesi. E kam theksuar disa herë se procesi i dialogut me Serbinë për njohje reciproke, shanset janë shumë të vogla, por duhet të bëjmë çdo përpjekje maksimale që në fund të arrihet një marrëveshje historike e paqësore në kuadër të dialogut”, ka shtuar Thaçi.

Ai ka thënë se dialogu ka vetëm një qëllim, arritjen e një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke mes dy vendeve.

“Të gjithë akterët që janë përfshirë në këtë proces, i ftoj dhe u them se marrëveshje do të ketë vetëm përmes dialogut, por kurrsesi dhe në asnjë rrethanë me kërcënime lufte. Parlamenti i Kosovës e përmbylli sesionin me një debat të gjatë për dialogun, por të gjitha ato fjalime fatkeqësisht nuk nxorën asgjë konkrete, në fund debati përfundoi pa asnjë platformë as rezolutë për këtë proces”, ka potencuar presidenti.

Sipas tij, dallimet mes partive dhe paaftësia për të ndërtuar një konsensus të gjerë, janë për keqardhje.

“Unë ende shpresoj te mençuria dhe guximi i liderëve për tu bashkuar sepse nuk kemi kohë për të humbur. Ata që mendojnë se koha është në favorin tonë, janë krejtësisht të gabuar dhe nuk kanë as idenë më të vogël për zhvillimet dinamike që po ndodhin në arenën ndërkombëtare. Takimi i radhës në kuadër të dialogut do të mbahet në shtator dhe do të shtohet edhe dinamika e punës”, ka thënë tutje Thaçi.

Ai ka vlerësuar se secila palë që për çfarëdo arsye refuzon dialogun apo pretendon të tërhiqet, do të ballafaqohet me pasoja në procesin e integrimeve euroatlantike.

“Është teori e gabuar se Kosova është e aftë të pengoj Serbinë në BE, e një rast të veprimeve të pamatura Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do të identifikonin si të paaftë dhe fajtore për ikjen nga dialogu dhe shtyrjen e marrëveshjes përfundimtare. Si pasojë, të gjithë e dinë se BE nuk do të hezitonte fare që për shkak të mungesës së gatishmërisë së Kosovës, ti mundësoj Serbisë anëtarësimin në BE, ndërsa Kosova do të rrezikonte të humbiste mbështetjen e partnerëve evropian duke mbetur e izoluar dhe e pashpresë për anëtarësim në NATO dhe në OKB”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, Kosova vetëm me qasje konstruktive mund të fitoj mbështetje nga BE dhe faktori ndërkombëtare. Madje, ai ka thënë se tri dekadat e fundit kush ka refuzuar dialog, ka dal humbëse.

“Individë nga udhëheqja politike kanë dëshmuar se kanë potencial të mjaftueshëm negativ për të penguar Kosovën në proceset e saja integruese. Sido që të jetë, parlamenti mbetet institucioni i vetëm i përfaqësimit të interesave të qytetarëve të vendit, por pyetja që shtrohet është a po kryen gjithmonë me suksese detyrat e tij, e përgjigjen mund ta japin qytetarët. Mendoj që ka ardhur koha të fuqizojmë zërin dhe momentin në rolin vendimmarrës të qytetarëve”, ka shtuar Thaçi.