19:03 / E Mërkurë, 03 Prill 2024 / S Z

Vihet gurthemeli i “Kastrati Residencial Building”, pranë Ambasadës Amerikane në Prishtinë

Afër Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të mërkurën është vënë gurthemeli i kompleksit rezidencial dhe hotelier “Kastrati Residencial Building”.

Kompleksi, i cili pritet të përfundojë brenda dy vitesh, u cilësua si unik në vend, duke përmbushur standardet më të larta të ndërtimtarisë, komoditetit e dizajnit.

Nën prezencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama e shumë personaliteteve tjera nga vendi, u tha se ky kompleks do të ndërtohet në frymën dhe profesionalizmin e ndërtimit të stilit amerikan.

Pronari i Kastrati Group, Valon Kastrati, beson se rezidenca do të sjellë risi, jo vetëm në Kosovë, por në tërë regjionin. Ai tha se objekti rezidencial do të këtë gjithsej 49 rezidenca të 7 tipeve të ndryshme, të cilat fillojnë nga 185 deri në 1000 metra katror.

E përveç kësaj, Kastrati bëri të ditur se do të ndërtohet edhe objekti hotelier, i cili pas përfundimit do të këtë rreth 150 dhoma e do të jetë nën menaxhimin e një brendi të njohur amerikan.

“Gjatë gjithë fazës së projektimit, arkitektët e kompanisë sonë janë udhëhequr dhe kanë respektuar me përpikëri dy kritere të përcaktuara bashkërisht në konsultim më zyrtarët e Ambasadës Amerikane -kriterin e dizajnimit të banesave me hapësira të mëdha të banimit dhe kriterin e aplikimi të standardeve më të larta të statikës në fushën e ndërtimtarisë. Këto dy kritere të kombinuara bashkë do të ofrojnë një produkt final i cili jo vetëm që nuk do të këtë konkurrencë në tregun e patundshmërive në Prishtinë dhe më gjerë, por njëkohësisht shpresoj shumë se do të shndërrohet në një kompleks jashtëzakonisht të bukur i cili duke qenë afër godinës së mrekullueshme të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do ta zbukurojë dhe më shumë këtë pjesë të qytetit dhe do të bëhet një pikë reference për të gjithë ata që do të vizitojnë Prishtinën dhe Kosovën”.

“Objekti rezidencial do të këtë gjithsej 49 rezidenca të 7 tipeve të ndryshme, duke filluar nga 185 metra katror deri në 1000 metra katror. Kriteret e njëjta të ndërtimit do të aplikohen edhe gjatë ekzekutimit të punimeve edhe në objektin hotelier, i cili pas përfundimit do të këtë rreth 150 dhoma të cilat do të ofrojnë komoditet dhe siguri të lartë të banimit, të cilin do ta marrë në menaxhim një brend i njohur amerikan. Në bazë të para llogaritjeve që kemi bërë, ne planifikojmë që projekti të finalizohet në tërësi brenda një periudhe 18 deri në 24 mujore”, ka thënë Kastrati.

Ambasador i ShBA-së në Kosovës, Jeffrey M. Hovinier, tha se do të jenë fqinjë të mirë me banorët e kësaj rezidence.

Sipas tij, ky projekt do të përcaktojë një standard të ri të jetesës për komunitetin, si nga ana e funksionalitet, ashtu edhe estetikës, por edhe cilësisë së jetës.

“Kjo zonë e Prishtinës do të shndërrohet dhe do të vazhdojë të shndërrohet në komunitet të vërtetë. Jemi të emocionuar që kemi këtë mundësi me Kastratin, që së bashku të ndërtojmë, të caktojmë një standard për komunitete, besoj si nga ana e funksionalitet ashtu edhe estetikës por gjithashtu edhe cilësisë së jetës. Ky është një lokacion ku edhe banorët dhe të tjerët që janë këtu të ndihen të mbështetur dhe rehatshëm. Do të jemi fqinjë të mirë. Do të kemi bashkëpunim të mirë dhe mirëpresim që ta shihni këtë projekt fantastik të përfunduar dhe që të kontribuoj në hapësirën tonë kolektive në Prishtinë”, ka thënë ai.

Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky projekt ka një dizajn të mrekullueshëm dhe se kjo zonë e kryeqytetit është po shndërrohet në zonë të arkitekturës kreative.

Ai ka theksuar se ky projekt do të ofrojë dizajn të jashtëzakonshëm, jo vetëm sa i përket anës estetike e cilësisë, por edhe mënyrës se si ndërlidhet me katastrofat e mundshme që mund të ballafaqohemi në të ardhmen.

“Kam parë një dizajn të mrekullueshëm dhe nga perspektiva e dizajnit mendoj që ja keni dalur që të krijoni diçka që është e jashtëzakonshme. Kjo është edhe një themel i arritjes për këtë zonë e cila gjithnjë e me shume po shndërrohet në zonë të arkitekturës kreative dhe të jashtëzakonshme. Kam besim të plotë që kjo mënyrë e dizajnit, duke marrë parasysh të gjitha parametrat sizmike të tërmeteve, do të ofrojë dizajn të jashtëzakonshëm, jo vetëm sa i përket anës estetike por edhe performancës, cilësisë dhe mënyrës se si ndërlidhet me katastrofat e mundshme që mund të ballafaqohemi në të ardhmen”, ka thënë ai.