75 Mall Live Search
12:24 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2023 / MSH

Vijon këmbimi i pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit

Hamasi dhe Izraeli pritet të lirojnë edhe disa pengje e të burgosur sot, në ditën e fundit të armëpushimit gjashtë-ditor.

Mediat izraelite, duke cituar zyrën e kryeministrit, raportuan se Izraeli mori një listë të pengjeve që pritet të lirohen nga Hamasi, shkruan Reuters. Zyra e kryeministrit nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm, transmeton Indeksonline.

Izraeli ka thënë se armëpushimi mund të zgjatet më tej, me kusht që Hamasi të vazhdojë të lirojë të paktën 10 pengje izraelite në ditë.

Grupi militant palestinez Hamas dhe grupi aleat i Xhihadit Islamik liruan 12 pengje të martën, duke e çuar numrin total të të liruarve në 81. Ata kanë qenë kryesisht gra dhe fëmijë izraelitë së bashku me shtetas të huaj.

Pengjeve iu bënë kontrollet fillestare mjekësore, e më pas u transferuan në spitalet izraelite ku do të takonin familjet e tyre.

Pak kohë më vonë, Izraeli liroi 30 palestinezë nga burgu Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe një qendër paraburgimi në Jerusalem.

Klubi i të burgosurve palestinezë, një organizatë gjysmë zyrtare, tha se gjysma ishin gra dhe pjesa tjetër ishin adoleshentë.

Kjo e çoi numrin e përgjithshëm të palestinezëve të liruar nën armëpushimin në 180.