12:45 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

Viktimat e dhunës seksuale kërkojnë drejtësi e dinjitet, thonë se fotografia e publikuar i ktheu në vitin ‘99

Organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë mbajtur marshin protestues përmes së cilit kanë kërkuar dinjitet për trajtimit e të mbijetuarve.

Ky marsh u mbajt në shenjë proteste ndaj publikimit të një fotografie në Kuvendin e Kosovës, e cila u paraqit si dëshmi  e dhunës seksuale gjatë luftës por doli që ishte fotografi nga filmat pornografik.

Feride Rushiti, Qendra Kosovare për rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kërkoi nga institucionet e Kosovës që të përkrahin viktimat.

Rushiti duke përcjellë mesazhin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë tha se pamjet e publikuara nuk e kanë vendin në parlament por në gjykatë.

“Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës duan dinjitet dhe drejtësi. I mbetet kuvendit që të marrë përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar. Pamjet e tilla nuk kanë vend në parlament por në gjykatë”

“Kërkojmë nga institucionet e vendit që të mbijetuarat e dhunës seksuale të përkrahen. Sot më shumë se kurrë të mbijetuarit kanë nevojë për solidaritet, për mbështetjen tonë, pa paragjykime. Kërkojmë drejtësi, dinjitet, profesionalizëm dhe sinqeritet”, tha ajo.

Ndërsa Linda Sada nga organizata Medika Kosova, deklaroi se me publikimin e fotografisë në Kuvend, puna e bërë deri më tani ka shkuar huq.

Kjo pasi me dhimbjen dhe shqetësimin e shkaktuar me publikimin e asaj fotografie, viktimat dhe përfaqësuesit e organizatave që janë marrë me trajtimin e tyre janë kthyer në vitit 1999.

“Publikimi i fotos i para disa ditëve më pamje të rënda dhe shumë të ndjeshme ka shkaktuar shumë vuajtje, ankth, mërzi dhe ritraumatizim të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo ngjarje ka bërë që puna gjatë luftës na është kthyer mbrapsht, na janë rrënuar përpjekjet tona. Na keni kthyer në vitin 1999. Ne nuk do të ndalemi, do të përkrahemi , do të respektojmë dhe do të trajtojmë me dinjitet heroinat tona.  Në i themi atyre që u munduan të përdorin dhimbjen e viktimave për poena politike se nuk do të lejojmë që të keqpërdoret dhuna e viktimave për qëllime të tjera. Bëjmë thirrje prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që sa më parë të zbardhin të vërtetën për skandalin e bërë disa ditë më parë”.

Pas përfundimit të marshit, pankartat të cilat përçonin mesazhin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës u vendosen në rrethojat e Kuvendit, derisa u dëgjuan edhe kërkesa për zgjedhje nga pjesëmarrësit e marshit.

Pjesë e këtij marshi, përveç përfaqësuesve të organizatave ishin edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ish-presidentja Atifete Jahjaga, deputetja Mimoza Kusari-Lila dhe  dhjetëra qytetarë.  /Indeksonline/