75 Mall Live Search
19:27 / E Mërkurë, 15 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Viktimat e dhunës seksuale me pension, përshëndetet vendimi i ministrit Reçica

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur sot vendimin për caktimin e pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Sipas vendimit të Qeverisë, pensioni për këtë kategori do të jetë 230 euro.

Ndërkohë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka thënë se ky vendim do të bëjë garantimin e një fillimi të një procesi serioz ndaj kësaj kategorie.

Sipas tij, kjo kategori do të ketë trajtim të mirëfilltë. Po ashtu, është themeluar edhe sekretaria e Komisionit për njohjen dhe verifikimin e viktimave e statusit të viktimave seksuale gjatë luftës.

Indeksonline me këtë rast ka kontaktuar, Drejtoreshën ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, e cila ka thënë se ky vendim është pritur që nga hyrja në fuqi e ligjit në vitin 2014, ku viktimat e luftës janë paraparë si kategori e veçantë ligjore.

“Pas shumë kërkesave dhe avokimit të institucioneve, më në fund Qeveria ka marrë vendim për caktimin e shumës së këtij pensioni dhe shumë shpejtë të fillohet me aplikimin për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Rushiti.

Rushiti ka theksuar se propozimi ka qenë që shuma minimale të ishte 250 euro, por që propozimi institucional ka qenë për shumë më të ulët ku dhe pas shumë takimeve është vendosur që shumta të jetë 230 euro.

“Kjo shifër tani për tani është mirëpritur nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por me kalimin e kohës gjatë rritjeve të pensioneve të kategorive tjera, ne shpresojmë që edhe ky pension të rritet. Sidoqoftë mendojmë që ndarja e kësaj shume për pension do të kontribuojë në mirëqenien e këtyre viktimave, duke marrë parasysh që për 18 vjet kanë jetuar pa asnjë mbështetje nga shteti, qoftë pension apo ofrim të shërbimeve shëndetësore dhe rehabilitim. Të vetmen mbështetje e kanë pas nga organizatat joqeveritare, si në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, psikosociale dhe ligjore po ashtu edhe për fuqizimin ekonomik”, ka shtuar Rushiti.

Sipas saj ky vendim është shumë i vonuar.

“Fillimisht viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës janë përfshirë edhe në Ligj në prill të vitit 2014, sipas të cilit ligj është dashur që brenda gjashtë muajve të nxirren aktet nënligjore dhe të fillohet me procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por kjo nuk është bërë në kohën e duhur”, ka thënë Rushiti.

Madje sipas saj, si pasojë e kësaj vonese disa nga këto viktima (të cilat janë trajtuar nga OJQ-të), tani kanë ndërruar jetë, si pasojë e problemeve shëndetësore që iu janë shfaqur pas ngjarjeve që kanë përjetuar gjatë luftës, dhe të njëjtat nuk kanë arritur të përfitojnë as edhe një beneficion nga shteti përkundër vuajtjeve  dhe asaj çfarë kanë përjetuar.

Ende nuk dihet saktësisht, por llogaritet të jenë rreth 20 mijë viktima të kësaj dhune./Indeksonline/