14:20 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Viktimat e dhunës seksuale mirëpresin verifikimin e statusit brenda pesë muajve

Kryeministri Ramush Haradinaj, priti sot në takim Shoqatat për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të prira nga Feride Rushiti.

Përfaqësuesit e këtyre shoqatave falënderuan kryeministrin për vullnetin dhe përkrahjen e treguar për fillimin e procesit të verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale në afat optimal prej pesë muajve.

Gjatë takimit, palët u dakorduan që në bashkëpunim të ngushtë me dikasteret përkatëse qeveritare të përcaktohet shuma e pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës dhe të vazhdohet me fazat e tjera të implementimit të ligjit për këtë kategori të shoqërisë.

Haradinaj takoi edhe kryetaren e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Minire Begaj.

Në takim u diskutua për atë se deri ku ka arritur procesi i identifikimit dhe verifikimit të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë dhe rreth veprimeve që duhet të ndërmerren për kompensimin e dëmeve dhe vendimit për një pension të veçantë për këtë kategori.

Haradinaj tha se kjo temë ka ndjeshmëri të shumanshme, ka dimensionet e përmasave tragjike të asaj që ka ndodhë në vend dhe se “kjo temë duhet të vendoset në binarë të qëndrueshëm, që shoqëria kosovare përfundimisht të çlirohet nga një ankth i gjatë”.

Kryetarja e Komisionit, Minire Begaj, tha se kjo është çështje politike dhe si e tillë duhet të trajtohet me dinjitet./AktivPress