20:02 / E Shtunë, 25 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Viktimat e dhunës seksuale të luftës: Askush përveç Jahjagës nuk u interesua për ne!

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala gjatë fushatës së saj vetëdijësuese kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka qëndruar sot për vizitë në organizatën “Medica Kosova”, e cila mbulon rajonin e Deçanit dhe të Gjakovës, ku e shoqëruar nga drejtoresha e kësaj qendre Veprore Shehu, ka takuar një grup të viktimave anëtare të kësaj qendre.

Gjatë këtij takimi me viktimat Ambasadorja Shala ka dëgjuar rrëfimet e përjetimeve të dhimbshme të viktimave dhe është njohur nga afër me gjendjen e tyre aktuale në shoqëri.

Viktimat, edhe pse kanë kaluar 18 vite pas luftës thonë se ende nuk e ndjejnë lirinë dhe guximin për të rrëfyer publikisht përjetimet e tyre pasi ende vazhdojnë të stigmatizohen nga shoqëria e sidomos familjarët e tyre në këto rajone.

Të pyetura nga Ambasadorja se sa kanë pasur mbështetje nga institucionet qendrore apo lokale ato shprehen:

“Deri sot askush nga krerët institucional as nuk na ka vizituar e as nuk na ka mbështetur, përveç ish-presidentja Jahjaga ka qenë dy herë por edhe mbështetja e saj ka qenë veç morale.

Asnjëra nga ne nuk punon, dhe të gjitha shpenzimet për shërbime shëndetsore duhet ti mbulojmë sipas mundësive tona. Mbështetjen e vetme e kemi gjetur te kjo organizatë”

“Kemi nevojë për punë, e sidomos për mbështetje në shërbime shëndetësore sepse nuk po arrijmë t’ia dalim vet”, u shprehën ato.

Ambasadorja Shala, në kuadër të fushatës vetëdijësuese ka vizituar edhe Qendrën për mbrojtjen e të drejtave të Grave në Drenas, ku është takuar me drejtoreshën e kësaj qendre, Kadire Tahiraj dhe disa nga antaret e kësaj qendre.

Gjatë këtij takimi, Ambasadorja Shala është njohur nga afër me punën e kësaj qendre, e konkretisht me diskriminimin që u është bërë atyre për 18 vite me radhë nga shoqëria dhe institucionet tona.

Fushatën n vetëdijësuese kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Shala e ka filluar më 21 nëntor.

Fushata vetëdijësuese me slloganin NJË FIJE DRITË, është inicuar me qëllim të ngritjes së vetëdijësimit të qytetarëve të Kosovës në thyerjen e paragjykimeve, luftimin e diskriminimit, stigmës, rritjen e ndërgjegjësimit, e mbi të gjitha promovimin e të drejtave të tyre për integrim të barabartë në shoqëri.