20:42 / E Enjte, 09 Korrik 2020

Viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës u përcollën me lutje nga Sarajeva

Mbetjet mortore të 9 viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës në lindje të Bosnjë Hercegovinës, të vitit 1995 të cilët do të varrosen këtë vit, u përcollën me lot nga kryeqyteti Sarajevë, raporton Anadolu Agency (AA).

Autokolona e nisur nga qyteti Visoko në mëngjes, duke kaluar nga rrugët Mareshal Tito dhe Mula Mustafe Baseskija në Sarajevë, u nis drejt Potoçarit ku do të varrosen më 11 korrik.

Ashtu si më parë autokolona u ndal para ndërtesës së presidencës, ku zyrtarët shtetëror dhe qytetarët e Sarajevës, u lutën duke lënë lule tek automjetet që i transportonin mbetjet mortore.

Në ceremoninë para presidencës ishin të pranishëm Kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnje Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, Rei-ul-ulemaja i Bashkësisë Islame në BeH, Husein Kavazoviç, Kryetari i Përgjithshëm i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegovic, Përfaqësuesi i Lartë i Bosnje Hercegovinës, Valentin Inzko dhe ambasadori i Turqisë në Sarajevë, Haldun Koç.

Xhaferoviç në një fjalim të tij të rastit, duke theksuar edhe një herë se në vendin e tij ka nevojë për nxjerrjen e ligjit për mohimin e gjenocidit, tha se edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të intervenojë në këtë drejtim.

  • Mbetjet mortore do të varrosen më 11 korrik

Kufomat sonte do të mbërrijnë në Potoçari afër Srebrenicës, ku do të vendosen në ish-fabrikën e akumulatorëve të përdorur nga ushtarët holandez që shërbenin në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë luftës si bazë.

Më pas arkivolet do të dërgohen në varrezat e Potoçari, dhe pas namazit të xhenazes më 11 korrik do të varrosen.

Viktima me moshë më të re këtë vit është 23-vjeçari Salko Ibiseviç, ndërsa më i moshuari Hasan Peziç 70-vjeçar.

Viktimat të tjerë që do të varrosen janë: “Sead Hasanovic (24), Alija Suljic (26), Hasib Hasanovic (25), Zuhdija Avdagic (48), Bajro Salihovic (52), İbrahim Zukanovic (54), Kemal Music (27).”

  • Çfarë ndodhi në Srebrenicë?

Më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurtë” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Srebrenica u rrethua nga forcat serbe që po përpiqeshin të pushtonin territore nga muslimanët dhe kroatët boshnjakë për të formuar shtetin e tyre.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte shpallur Srebrenicën si “zonë të sigurtë” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, kaluan në zonën e OKB-së.

Trupat holandeze nuk arritën të ndërmerrnin masa kur forcat serbe pushtuan zonën dhe vranë 2.000 meshkuj vetëm më 11 korrik. Rreth 15.000 persona të tjerë ikën nga Srebrenica në malet përreth, por trupat serbe vranë 6.000 prej tyre në pyje.

Në ceremoninë e këtij viti do të varrosen edhe 9 viktima të identifikuara.

Mos i humb