14:35 / E Hënë, 14 Mars 2022 / AR

‘Virgjëresha shqiptare’, filmi më i pëlqyer nga audienca në Ostend Film Festival

Filmi me regji të Bujar Alimanit, “Virgjëresha shqiptare”, është filmi që u rendit në vendin e parë përsa i përket votimit të audiencës në Ostend Film Festival.

Festivali vjetor i filmit, i cili mbahet në Ostend, Belgjjikë që prej vitit 2007, njoftoi se “Virgjëresha shqiptare” u vlerësua nga audienca me 96.6/100 pikë.

Në tetor të vitit 2021, filmi u vlerësua me dy çmime në Festivalin e Filmit në Varshavë: Çmimin Special të Jurisë dhe çmimin “Ecumenical”, ky i fundit një çmim që ka për qëllim “të vlerësojë veprat me cilësi artistike që dëshmojnë fuqinë e filmit për të zbuluar thellësitë misterioze të qenieve njerëzore përmes çfarë i shqetëson ata, lëndimeve, dështimeve dhe shpresave të tyre”.

Me skenar të Katja Kittendorf dhe protagoniste aktoren Rina Krasniqin, “The Albanian Virgin” i bazon ngjarjet në vitin 1958 si kohë historike. Luana, vajza e një burri të respektuar në një fshat, bëhet shoqe me Agimin, djalin e një burri të dëbuar nga komunistët. Vite më vonë, shoqëria e tyre shndërrohet në një dashuri adoleshentësh, e cila kthehet në problem për familjen. Kjo e fundit e kishte “premtuar” Luanën për t’u martuar me djalin e një familjeje tjetër (Nik Xhelilaj), që në kohën kur ajo ishte fëmijë.

‘Virgjëresha shqiptare’, filmi më i pëlqyer nga

Protagonistja vendoset përballë dilemës: të arratiset me të dashurin dhe të rrezikojë të kapet, madje edhe të vritet, apo t’i bindet kanunit. Personazhi kupton se mjedisi ku jeton është një mallkim për gratë dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të bëhet një prej tyre – një burrë. Historia përshkruhet si “një ngjarje thellësisht njerëzore për lirinë, e cila është gjëja më e rëndësishme, edhe nëse çmimi që paguhet është vetmia”.

Në një intervistë për “Nëpër Film”, Krasniqi u shpreh:

“Është vërtetë një punë e madhe që e kemi bërë të gjithë si ekip dhe si produksion. Mezi kemi pritur që ta kemi premierën e filmit e aq më pak ku kjo ndodhi në një festival prestigjioz të kategorisë A, siç është festivali i Varshavës. Është një ndjenjë jashtëzakonisht përmbushëse, shumë e ngrohtë, me dashuri dhe unë ende po ndihem e emocionuar për këtë.”

Ndër të tjera, aktorja tregoi se i gjithë ekipi para dhe prapa kamerave, e në veçanti regjisori Alimani, kanë punuar me shumë pasion për realizimin e këtij filmi.

“Bujari e ka trajtuar gjithë projektin me mish dhe shpirt, njësoj edhe producentja e filmit, Anita Elsani, sepse është një projekt në të cilin kanë punuar dhjetë vjet për ta realizuar. Edhe skenaristja e filmit e cila është gjermane, Katja Kittendorf, e ka shkruar këtë histori për 10 vjet. Pra, për ta është një projekt i pasionit, shpirtit dhe zemrës. Prandaj kur ta besojnë një karakter të tillë i cili e ka barrën e përçimit të gjithë historisë dhe mesazhit në thelb, me të gjitha dinamikat që i ngërthen në vete, natyrisht është një përgjegjësi e madhe.”

Pjesë e kastit janë Rina Krasniqi, Nik Xhelilaj, Kasem Hoxha, Alban Ukaj, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Jonida Vokshi, Mimoza Azemi, Shkurte Sulejmani, Viktor Zhusti, Lulzim Zeqja etj.

‘Virgjëresha shqiptare’, filmi më i pëlqyer nga