17:06 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Visar Ymeri i reagon ashpër Kadri Veselit: Beqir Kalludra, vegël e jotja!

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës për lënien në paraburgim të Albin Kurtit e Donika Kadajt.

Ai ka përmendur mosprezencën e kreut të Kuvendit, Kadri Veseli në seancën gjyqësore për dy herë radhazi ku pritej të dëshmonte lidhur me rastin e gazit lotsjellës.

Ymeri ka thënë se edhe Veseli po e shpërfill gjyqësorin, por nuk po arrestohet.

“Albini dhe Donika u arrestuan më 24 nëntor dhe prapë më 27 nëntor. Në burg po mbahen edhe sot, në ditën e 27’të. Gjatë këtyre ditëve u mbajtën 2 seanca gjyqësore (përfshirë këtë të mbajtur sot). Në asnjërën prej këtyre seancave nuk u paraqit Kadri Veseli në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë. Por ky asnjëherë nuk u arrestua. Edhe pse qartazi e shpërfilli thirrjen e gjykatësit. Edhe pse qartazi po e shpërfill gjyqin. Dhe pas tërë kësaj prokurori hoqi dorë nga dëshmimi i Veselit. E gjykatësi Albinin e Donikën i dërgoi prapë në burg. Ky proces është kryekëput politik, dhe kryekëput absurd proceduralisht. Kështu është kur e ke sistemin në dorë, sikur Veseli. Kur e ke gjykatësin në kontroll. Kur e ke prokurorin në dorë. Mund të bësh çfarë të duash. Pa pësuar asgjë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook, përcjellë Indeksonline.

Tutje, Ymeri ka thënë se ishte pikërisht Veseli ai që me ngulm insistonte që Demarkacioni të ratifikohet në Kuvend dhe që Zajednica të zbatohej. Sipas tij, Veseli është ai që insiston përmes “veglave” të tij që Kurti e Kadaj të mbesin në burg.

E këtë, Ymeri thotë se Veselit ia mundëson një gjykatës si Beqit Kalludra, i cili i përndjekë aktivistët e deputetët e VV-së.

” Veseli nuk është njëri prej dëshmitarëve. Ai është denoncuesi kryesor. Ai që me ngulm insistonte dhe insiston që Marrëveshja për Demarkacion të ratifikohet në Kuvend. Ai që insistonte që Zajednica të pranohej e zbatohej. Ai që insiston që Albini dhe Donika të mbahen në burg. Dhe këtë duke urdhëruar nga lartë e duke e mundësuar praktikisht nga poshtë. Këtë Veseli e bën me veglat e tij. Beqir Kalludra, gjykatësi përndjekës ndaj aktivistëve e deputetëve të VETËVENDOSJE!-s, duket të jetë njëra prej veglave më të përdorshme. Prandaj ky gjykatës i ka rastet kryesore kundër VETËVENDOSJE!-s në gjykim. Sepse e ka dëshmuar që dënon pa prova, mbanë deputetë në burg me urdhëra politik, i falë e u nënshtrohet të pushtetshmëve të ShIK-ut. Kështu mbijeton Kalludra, duke e mundësuar që të mbijetojë gjyqësori i kapur. Ai vet e tha sot se gjykatën e konsideron si të vehten, duke i nxjerrë të pranishmit jashtë pa asnjë arsye, dhe duke i kërcënuar se “nuk do të mund të hyjnë në gjykatën e tij”, ka shkruar ai, përcjellë Indeksonline.

Ai është shprehur se institucionet janë të kriminalizuara dhe ato e kontrollojnë gjyqësorin.

“Nuk është e mjaftueshme të thuhet se institucionet politike kanë ndikim mbi gjyqësorin. Është më thellë e më keq se kaq. Institucionet e kriminalizuara e kontrollojnë gjyqësorin. Kjo e bën që në Kosovë të mos gjykohet krimi, por të ndodh e kundërta, Krimi të shndërrohet në gjykatës e prokuror. Liri për deputetët, për Albinin, Donikën, Albulenën e Fatonin Liri për aktivistët, për Frashërin, Atdheun, Egzonin e Adean Drejtësi për Astritin”, ka përfunduar ai reagimin e tij./Indeksonline/