Vit shkollor i cunguar nga pandemia

Vetëm edhe një javë ka mbetur deri në fund të vitit shkollor në Kosovë, që u përshkua nga mbyllje të shpeshta të shkollave, orë të shkurtuara dhe mësim nga distanca.
Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard që vëzhgon sistemin arsimor në vend thotë se, këto zhvillime e kanë bërë një vit të rënduar mësimor dhe pandemia ka ndikuar në cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
“Skenarë të ndryshëm, kalimi i shpeshtë nga mësimi fizik në atë online, ndërprerja e hershme e procesit mësimor pra në pushimin dimëror, numri shumë i vogël i ditëve të mësimit krahasuar me kalendarin e vërtetë mësimor gjitha këto kanë qenë faktorë që kanë ndikuar drejtpërdrejt në atë se çka është ofru gjatë procesit mësidhënies dhe ndikimi i saj kam frikë se do të vërehet në vitet tutje, qoftë në performancë akademike të të rinjve por edhe në zhvillim profesional të të njejtëve”, tha zoti Qehaja.
Zëvendësministri i arsimit dhe shkencës, Dukagjin Pupovci, e cilëson sfidues këtë vit shkollor.
“Këtë vit shkollor ka pas aq shumë çrregullime dhe ndërprerje sa që është e pamundur që kjo të mos lë gjurmë në të mësuarit e fëmijëve dhe faktikisht ajo që quhet humbje mësimore është e pranishme edhe në shoqërinë tonë sikurse edhe në shoqëritë tjera. Mirëpo, për fat të mirë muajt e fundit gjendja e pandemisë është qetësuar dukshëm dhe kemi shpresa se përfundimi i këtij viti shkollor dhe fillimi i vitit të ardhshëm do të jenë ndryshme nga ajo që kemi parë vitin e kaluar”, tha zoti Pupovci.