12:11 / E Martë, 14 Korrik 2020 / indeksADMonline

Viti 2020, vit i grurit kosovar

Në kohë pandemie, rendimenti i grurit po del të jetë lajmi më i mirë.

“Prej njëzet vjetësh që merrem me kultivimin e grurit, ky vit është më i suksesshmi. Në 60 hektarët që i kam mbjell, rendimenti i kalon 5 tonë për një hektar, shkon edhe më sipër po nën pesë tonë nuk ka. Këtë vit farën na e ka siguruar M & Sillosi, moti ka marrë i mirë e si rezultat është ky grurë që po e shihni”, tregon fermeri Rrahman Hoti, përderisa korrjet vazhdojnë nën diellin përcëllues.

Një ndër faktorët kryesorë në rezultatet e këtij viti ishte funksionalizimi i zinxhirit fermer-pika grumbulluese, ku M & Sillosi, përveç farës u ka siguruar  fermerëve edhe tregun.

“ Vitin tjetër do t’i shtoj sipërfaqet, besoj se edhe kolegët e mi do ta bëjnë të njëjtën gjë, gruri ka leverdi”, shpjegon Rrahmani, ndërsa sasia e korrur në arat e tij po bartej te pika grumbulluese.

Për dallim nga viti i kaluar, deri më sot pikat grumbulluese kanë pranuar mbi 40% sasi më të madhe.

Cilësinë e lartë të këtij viti, përveç pamjes në fusha, e shfaqin edhe rezultatet të cilat vijnë nga mostrat në laborator.

“ Sipas të gjithë parametrave, me përgjegjësi të plotë mund të them se këtë vit gruri e mielli do të jenë të kualitetit më të lartë. Zakonisht kur ka rendiment ka edhe cilësi, kjo po vërtetohet edhe gjatë kësaj kohe kur po i analizojmë mostrat ”, deklaron Ramadan Deliu, teknolog i laboratorit të M & Sillosit në Xërxë.

Me rezultatet e këtij viti, M & Sillosi do të arrijë t’i plotësojë mbi 70% të kërkesave të tregut vendor, me miell të cilësisë së lartë.