Viti 2023 me rekorde në Turizëm, Cerenishti: Ishte viti më i mirë turistik në Shqipëri, kishim shumë turistë evropian
Viti 2023 ka qenë ndër vitet më të mira, sa i përket sezonit turistik në Shqipëri.
Kështu ka pohuar pronari i Hoteleve “Fafa Group”, Fatos Cerenishti. Cerenishti në ABC News ka pohuar se ky sezon turistik ka qenë më i miri, pasi që bregdetin shqiptar e kanë vizituar dhe shumë turistë evropian, gjë që nuk ka ndodhur vitet e kaluara.
“Viti 2023 ka qenë nga vitet më të mira, sa i përket Shqipërisë turistike. Jo për shkak të numrit por dhe të shumëllojshmërisë të shtetasve të huaj, që kanë vizituar Shqipërinë. Nuk jemi më vetëm te polakët e çekët që dhe ata janë pionierët e zhvillimit të turizmit shqiptar. Por kemi shumë turistë evropian, të cilët kanë ardhur në strukturat hoteliere të Shqipërisë. Por atë që pretendojmë ne, është që numri i madh i turistëve që e kanë vizituar Shqipërinë, të mos ngelet vetëm një aventurë e tyre, po shpresojmë që ata kanë marrë shërbimin që kanë dëshiruar, sepse shumica e tyre të mos ngelin vetëm që ta provojnë Shqipërinë si destinacion, por Shqipërinë ta bëjnë destinacion turistik. Nëse ne arrijmë që Shqipëria të bëhet një destinacion turistik i pëlqyer, ne do të jemi në rrugë të mbarë”, ka thënë ai.
Ndërsa thotë se është optimist se numri i turistëve të huaj, do të rritet dhe më tej.
“Unë jam optimist se shoh se Tour operatoret evropian me të cilët kemi bashkëpunuar prej vitesh, kanë një kërkesë të shtuar, për sa i përket numrit të dhomave në bregdetin shqiptar. Kjo tregon se atyre u pëlqen bregdeti shqiptar dhe se kjo është gjë shumë pozitive”, ka pohuar Cerenishti.
Megjithëse foli për një sezonë shumë të mirë turistike, ai tha se duhet të punojnë fort, me qëllim që sezoni turistik, të mos mbyllet në shtator, por ai të zgjatet.
“Një nga problemet për të cilat ne të gjithë duhet të punojmë fort, është rritja e netëve të qëndrimit. Mos të ngelemi që të mbyllet sezoni në fund të muajit shtator. Nëse sezoni është i shkurtë, të ardhurat që grumbullon hoteli dhe ky lloj biznesi janë të pamjaftueshme, që ne të bëjmë struktura dhe më të mira dhe të rrisim shërbimin në një nivel tjetër, ashtu siç bëhet në vendet tjera, që kanë një super eksperiencë në turizëm. Më e rëndësishme mbetet që jemi në rrugë të mbarë, sepse vit pas viti po përmirësohemi”, tha ai.
Edhe pse viti 2023 ishte viti më i suksesshëm, ai përmendi dhe problemet me të cilat janë ballafaquar si ato me dritat dhe ujin.
Ai tha se në Shqipëri po mbahen dhe shumë aktivitete të rëndësishme si Kampionati Evropian i Shahut për të rritur i cili është mbajtur ditë më parë në njërin nga hotelet ku ai është pronar, në Fafa Premium.
“Para disa dite përfundoi Kampionati Evropian i shahut për të rritur, që ishte një nga aktivitetet shumë të rëndësishme. Ishin 37 ish kampion bote dhe kampioni aktual, por nuk u bë aq marketing i fortë. Shqipëria ka kapacitete që të zhvillojë dhe aktivitete të tilla, ku pjesëmarrës ishin 800 persona. I gjithë biznesi ashtu siç ka bërë viteve të fundit, duhet t’i kthej sytë për të investuar në turizëm”, tha ai.
Ndërsa thotë se për fatin e mirë bregdeti shqiptar është 430 km, dhe se vetëm 30 deri në 35 për qind e bregdetit është konsumuar. Ndërsa ka dhe 65 për qind të bregdetit ende të pa zhvilluar “Ka vend për të gjithë. Të gjithë duhet t’i hedhim sytë për investime në bregdet, pasi që 65 deri në 70 për qind e bregdetit është ende e pa zhvilluar. Të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje”, ka pohuar Cerenishti.