Viti i futbollit kosovar, dhimbje dhe përplot suksese
Viti 2018 ka qenë viti më i suksesshëm i futbollit kosovar por edhe i dhimbshëm pas vdekjes së legjendës Fadil Vokrri.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll korri suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare ndërsa Drita dhe Prishtina zhvilluan gara në Ligën e Kampionëve dhe Europa League.
Aktiviteti filloi me 2 mars kur në drejtimin e Kombëtares A erdh zvicerani, Bernard Challandes. Ai mori skuadrën duke thënë se do ta rris si mentalitet.

Me 20 maj u zhvillua “finalja” e Superligës në mes të Prishtinës dhe Dritës në stadiumin e qytetit të Pejës. Intelektualët barazuan në këtë ndeshje që i shpalli kampion për të dytën herë në histori të klubit.

9 qershori do të mbahet mend si dita kur futbolli i Kosovës humbi njeriun më meritor të sukseseve. Në këtë ditë ndërroi jetë kryetari i FFK-së Fadil Vokrri i cili u varros me nderime të larta shtetërore.

Shtatë ditë më vonë Prishtina fitoi Kupën e Kosovës pasi mposhti Vëllaznimin pas penalltive me rezultat 4-5 (ndeshja e rregullt 1-1).

Me 26 qershor Drita debutoi në parakualifikuese të Ligës së Kampionëve. Gjilanasit fituan dy ndeshjet e para ndërsa u mposhtën nga skuadra e njohur evropiane, Malmo.

Në anën tjetër Prishtina debutoi në Europa League, ku e kaloi rundin e parë duke e mposhtur Collage Evropa ndërsa u mposht në rundin e dytë nga Fola Esch.

Me 6 korrik, Agim Ademi zgjidhet në krye të FFK-së duke marrë pozitën e kryetarit të FFk-së pas vdekjes së Vokrrit, shkruan Indeksonline.

Drita e provoi fatin edhe në Europa League por u mposht nga Dudelange duke mbyllur aventurën evropiane.
Në gusht u përurua edhe stadiumi i rinovuar që do të mbaj emrin e legjendës “Fadil Vokrri”.

Me 13 gusht Drita përmbylli një sezon përplot suksese duke fituar Superkupën e Kosovës pasi mposhti Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

7 shtatori ishte dita e shumëpritur e tifozëve kosovar. Kosova debutoi në Ligën e Kombeve ku në ndeshjen e parë u takua me favoritin e grupit, Azerbajxhanin. Ndeshja në Baku përfundoi pa gola.

Azerbajxhani ishte edhe Kombëtarja e fundit që Kosova u ndesh në Ligën e Kombeve. Në stadiumin “Fadil Vokrri”, djemtë e Challandes i deklasuan azerët duke i mposhtur me rezultat 4-0.

Kosova përfundoi e para në grup me katër fitore dhe dy barazime, duke u bërë skuadra e vetme në Evropë që e mbyll vitin pa humbje.

Me 2 dhjetor është hedhur shorti për Euro 2020. Kosova është renditur në grup së bashku me Anglinë, Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Viti kalendarik i futbollit u mbyll me 20 dhjetor në një mbrëmje gala, ku Arbër Zeneli u shpall futbollisti më i mirë i viti. /IndeksOnline/
