16:37 / E Mërkurë, 15 Shkurt 2023 / mp

Vitia në Kuvendin e OMK-së shpreh gatishmëri për bashkëpunim

Është mbajtur Mbledhja e V e Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës, legjislatura e III-të.

I pranishëm ishte dhe ministri i shëndetësisë, Arben Vitia si i ftuar i nderit. Ai në një fjalim rasti bëri një përmbledhje të angazhimit për punë të OMK-së, ku përmendi angazhimin e EVP-së, organizimin e Kongreseve, publikimin e Revista Mjeku etj. Ai shpjegoi se janë miratuar 8 strategji që ndihmojnë balancimin e shërbimeve ekzistuese shëndetësore si dhe njoftoi se investimet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë do të vazhdojnë tutje duke përfshirë strategjitë sektoriale të Shëndetësisë 2022-2032, në të cilat është e përfshirë edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.

Vitia falënderoi për ftesën dhe tha se prania e tij këtu sot shprehë gatishmërinë e plotë nga Ministria e Shëndetësisë për bashkëpunim. Andaj me këtë rast Vitia ftoi anëtarët e Kuvendit të OMK-së që të jenë sa më aktiv në këto procese.

Ndërkaq kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha se është hera e parë që Ministria e Shëndetësisë iu hap dyert në këtë formë dhe se bashkëpunimi është mëse i nevojshëm për mbarëvajtjen e punës mes dy institucioneve, për shëndetësinë në Republikën e Kosovës.

Në këtë mbledhje u miratuan rendi i ditës, procesverbali për mbledhjen e kaluar, raporti i punës për vitin 2022, draft rregullorja për Komisionin e Vazhdueshëm Profesional etj.

Tutje Pleurat Sejdiu shpalosi para anëtarëve të OMK-së, Raportin e Punës për vitin 2022, ku edhe raportoi se 455 mjekë të rinj janë anëtarësuar, po ashtu ai shpjegoi se disa nga sfidat e OMK—së për vitin 2022 ishin ndarja e parcellës për ndërtesën e OPSH-ve, zbatimi i ligjit për shëndetësi dhe ligjit për OPSH-të etj. Ndërsa plani i veprimit për vitin 2023 nga OMK përfshinë Organizimin e Kongresit të V multidisiplinar, organizimin e ceremonisë së 10 vjetori të formimit të OMK-së etj.

Mbledhjen e Kuvendit të V e përmbylli kryetari i Odës, Dr. Plurat Sejdiu ku edhe informoi se mbledhja e ardhshme e Kuvendit do të mbahet pas 6 mujorit të parë të këtij viti./IndeksOnline/