75 Mall Live Search
12:18 / E Mërkurë, 13 Nëntor 2024 / mp

Vitia: Pos QKUK-së, po i forcojmë edhe spitalet rajonale

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se është bërë një plan për vlerësimin e pajisjeve të vjetra në spitalet rajonale, pos QKUK-së dhe Ortopedisë.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ai tha se në bazë të këtij vlerësimi është planifikuar edhe buxheti për vitin 2025.

“Në Ortopedi do të blihen pajisje të reja të cilat do t’i përgjigjen kohës së veprimit për shërbime cilësore. Është duke u përfunduar edhe plani i veprimit të studimit të fizibilitetit për nevojat e ndërhyrjes me pajisje për secilin spital rajonal dhe QKUK, të cilat kapin shifrën e 40 milionë eurove. Jemi në fazat e fundit për një kredi të butë nga Banka Zhvillimore Evropiane, pa marrël parasysh edhe investimet e përditshme që i bëjmë në aparatura”.

Vitia tha se për dallim nga vitet e kaluara, në buxhetin e vitit 2025, fokus të veçantë ka intervenimi infrastrukturor dhe vlerësimi i pajisjeve të reja në spitalet rsjonale.

“Deri tani, për shumë vjet ka ndodhur që shumica e pacientëve për mungesë të këtyre aparaturave të referohen në QKUK, pasi që shumica e shërbimeve dhe investime janë bërë aty dhe fluksi nga spitalet rajonale e ka bërë të pamundur ofrimin në kohë të shumë pacientëve. Jemi duke forcuar spitalet rajonale në mënyrë që pacientet së pari shërbimin ta marrin afër spitaleve që kanë, të jetë aq cilësor si në QKUK dhe kjo do të ndikojë në uljen e listës së pritjes në disa prej profileve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe më afër pacienteve ku ata kanë nevojë”, tha ministri.