16:26 / E Mërkurë, 03 Maj 2023 / S Z

Vitia takon Bordin e ri të SHSKUK-së, Naim Bardiqi zgjedhet kryesues i Bordit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me U.D drejtoreshën e SHSKUK-së, Narqize Arenaliu – Hoxhaj, iu uruan sot detyrën Bordit të ri të zgjedhur të SHSKUK-së, në përbërje: Dr. Dren Boshnjaku- Qendra Klinike Universitare e Kosovës; Dr. Tetore Olloni- Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Dr. Rrezarta Bajrami- Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik; Dr. Besim Demolli- Spitali i Përgjithshëm Ferizaj – në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore; Dr. Vjollca Kadolli-Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe Dr. Naim Bardiqi- Ministria e Shëndetësisë.

Një (1) ekspert i menaxhmentit shëndetësor do të zgjidhet në bazë të konkursit publik.

Të pranishëm ishin edhe anëtarët e Bordit të kaluar të SHSKUK-së: Dr. Aida Rexhepi, Dr. Agreta Gecaj; Dr. Xhevat Jakupil, z. Mentor Sadiku, Dr. Vjollca Kadolli (e riemëruar) dhe z. Enver Gashi, të cilët ministri Vitia i falënderoi për punën dhe angazhimin e tyre gjatë tre viteve.

Ai i dëshiroi suksese Bordit të sapoemëruar në angazhimin e përbashkët në të mirë të institucionit dhe në të mirë të shëndetit të qytetareve të Kosovës.

Ministri Vitia falënderoi anëtarët e Bordit të kaluar për përkushtimin dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në një situatë të vështirë, siç ishte ballafaqimi me pandeminë Covid -19.

“Në fillim të punës kishim situatën me pandeminë Covid -19 që ishte një sfidë e jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor. Duke falënderuar Bordin e kaluar arritëm që me shumë punë, angazhim dhe përkushtim, t’ia dalim bashkërisht. Këta individë të jashtëzakonshëm, profesionistë shembull kanë dhënë kontribut kyç gjatë kësaj kohe dhe standardi i cili është ngritur besojmë që do të jetë ndihmesë edhe për bordin aktual për rrugën të cilën e kemi përpara”, tha me ketë rast ministri Vitia.

Më pas, Bordi i ri i SHSKUK-së mbajti mbledhjen e parë dhe me votë unanime zgjodhën si kryesues të Bordit të ri të SHSKUK-së, përfaqësuesin e Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Naim Bardiqi.