15:01 / E Martë, 07 Shkurt 2023 / S Z

Vitia takon kryetarin e Shtimes, premton mbi 5 milion euro investime

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka vazhduar takimet dhe vizitat në komunat ku së shpejti do të fillojnë investimet në sektorin e shëndetësisë. Ai sot vizitoi Komunën e Shtimes,  ku është planifikuar ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka ndarë buxhet në vlerë prej 1 milion e 250 mijë euro, si dhe ndërtimi i Entit Special në këtë komunë për të cilin janë ndarë 4 milionë euro.

Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Shtimes,  Qemajl Aliu dhe kabinetin e tij, ministri Vitia tha se përveç planifikimit për ndërtimin e projekteve kapitale, mbetet i përkushtuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Komunës së Shtimes.

“Ishte kënaqësi takimi me kryetarin Aliu. Me projektet e reja të cilat u prezantuan nga kryetari dhe drejtori i shëndetësisë, është treguar se në shëndetësi qytetarët e Shtimes në të ardhmen do të kenë shërbime shumë më cilësore. Sot biseduam edhe për dy projekte me rëndësi, siç janë ndërtimi i Entit Special dhe i QKMF-së në këtë komunë, projekte të cilat do të jenë në fokusin tonë dhe prioritete si Ministri e Shëndetësisë”, tha ministri Vitia.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Shtimes ka shprehur falënderimin për angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që Komuna e Shtimes të ketë investime të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë. Sipas tij, është lajm shumë i mirë që vëmendja e pushtetit qendror është kthyer edhe kah Komuna e Shtimes, e cila ka qenë e diskriminuar sa i përket investimeve në sektorin e shëndetësisë.

“Pas këtij takimi, së shpejti do të mbahet edhe një takim i radhës me të gjitha ministritë e linjës, për të definuar procesin dhe përgjegjësitë në kuadër të shtimit të kapaciteteve dhe shërbimeve shëndetësore, si dhe ndërtimin e Entit Special dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Shtimes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë./IndeksOnline/.