75 Mall Live Search
08:37 / E Martë, 11 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Vjet ,AVUK-u asgjësoi 120 mijë kilogramë produkte me origjinë shtazore

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës gjatë vitit që e lamë pas, ka asgjësuar 120 mijë kilogramë produkte me origjinë shtazore.

Zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, thotë se ngarkesat që vijnë nga importi 100 për qind i nënshtrohen kontrollit të inspektorëve.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, përmes tre lloje të inspektorateve kontrollon gjithë territorin e Kosovës, përfshirë pikat terminale doganore. Zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, thotë për Radio Kosovën se produktet e asgjësuara gjatë vitit 2019 kanë kaluar shifrën 750 mijë kg/litra, produkte me origjinë shtazore rreth 120 mijë kg,  ndërsa produkte të tjera kanë qenë me origjinë bimore dhe produkte kondiktorike .

 “Ngarkesat që vijnë nga importi 100 për qind i nënshtrohen kontrollit të inspektorëve, ndërsa në territorin e brendshëm kontrollohen në bazë të planeve nacionale për kontroll dhe mostrim. Gjithmonë koordinohemi me inspektoratin komunal, për shkak të mungesës së kapaciteteve për të kontrolluar të gjitha pikat shitëse”, ka thënë Thaçi.

Por, qytetarët thonë se nuk i besojnë cilësisë së ushqimit në Kosovë. Disa nga ta thonë për Radio Kosovën se mundohen të jenë të kujdesshëm  në atë se çfarë blejnë.

Edhe më tutje sfidë për AVUK-un mbetet numri i vogël i inspektorëve. Zëdhënësi Thaçi thotë se janë në pritje të kalimit të inspektorëve komunalë nën kompetenca të AVUK-ut.

 “Ligji përcakton që këta inspektorë të kalojnë në AVUK dhe ne jemi duke pritur që këta të kalojnë në autoritetin tonë, atëherë ne duhet ta kemi përgjegjësinë për të kontrolluar gjithçka. Për momentin të gjitha tregjet brenda komunave dhe dyqanet e vogla kontrollohen nga inspektorë komunalë. Në kontrollin e brendshëm totali është pak mbi 70, sepse vitin e kaluar dhe këtë vit kemi inspektorë që do të pensionohen dhe procedurat po janë të tej zgjatura për t’i zëvendësuar ata”, tha ai.

Ndryshe, viti që e lamë pas është karakterizuar me probleme në sektorin e mishit, ku agjencia ka ndërmarrë disa kontrolle që rezultuan me gjetje të sasive të konsiderueshme të mishit të prishur.