75 Mall Live Search
14:38 / E Martë, 15 Dhjetor 2020 / Blerim

Vitomerica e Pejës cak i hajnave, flet një banor: S’po mund të jetojmë shlirë!

Vjedhjet janë bërë dukuri shqetësuese në vendin tonë. Brenda ditës raportohen dhjetëra raste në polici, derisa rrallë herë kapen kryerësit e këtyre veprave.

Banorët e fshatit Vitomericë të Pejës, s’po gjejnë qetësi, nga hajdutët, të cilët janë në hall dhe mjaft të shqetësuar.

Mehmet Bajraj, një banor i fshatit, ka treguar për IndeksOnlinen, se mbrëmë një market është grabitur.

Ai thotë se ndihen të pambrojtur, ani pse policia është lajmëruar, por që hajdutët s’kanë të ndalur.

“Mbrëmë në orën 3 të mëngjesit, është plaçkitur një market, ndërsa këto ditë po ashtu hajnat kanë hyrë edhe në një kioskë, kjo është hera e tretë që hajnat vjedhin në kioskë.

Këto vjedhje kanë nisur me vite, por kohët e fundit çdo natë ka vjedhje. Edhe vitin e kaluar në të njëjtën kohë më është plaçkitur shtëpia”, ka thënë Bajraj.

Ai ka treguar se policia ka edhe videot e vjedhjes së marketit.

“Ne s’mund të punojmë e të jetojmë shlirë në këtë vend, besoni kemi marrë trauma ku çdo natë ka vjedhje”, shprehet ai.

IndeksOnline pak ditë më parë ka raportuar edhe për shqetësimet e banorëve të fshatit Miradi e Poshtme të Fushë-Kosovës, të cilët deklaruan po ashtu që çdo natë s’po flenë të qetë për shkak të hajnave.