75 Mall Live Search
13:34 / E Hënë, 25 Prill 2022 / k.v

Vizita e Donfried dhe Escobar vlerësohet se do t`i shërbejë dialogut

Pas vizitës së tre senatorëve amerikanë javën e kaluar në Kosovë, edhe dy zyrtarë të lartë amerikanë vijnë për vizitë në Prishtinë.

Ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Gabriel Escobar do të takohen me krerët e shtetit.

Sipas njoftimit, ndër të tjera do të bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi, drejt një marrëveshjeje për njohje reciproke. Analistët në Kosovë, thonë se kjo vizitë është e rëndësishme dhe tregon interesin amerikan ndaj Kosovës.

Ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Karen Donfrid dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Gabriel Escobar, do të priten sot në Kosovë nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në orët e pasdites. Donfrid dhe Escobar e vizitojnë Kosovën në kuadër të një turi të vizitave në Ballkanin Perëndimor.

Vizitën e tyre në Kosovë, analisti Artan Muhaxhiri, e vlerëson shumë të rëndësishme. Ai tha për Radio Kosovën, se kjo tregon vazhdimësinë e interesit amerikan ndaj Kosovës dhe këmbënguljen që të dinamizohet politika e jashtme. “Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, duhet që ta marrin me seriozitet të jashtëzakonshëm këtë vizitë, sepse është edhe një indikator për domosdoshmërinë e Kosovës, që të bëjë hapa më të mëdhenj në raport edhe me dialogun, por edhe me projektet gjeopolitike dhe gjeostrategjike, të cilat i paraprijnë SHBA-të”, ka thënë Muhaxhiri.

Tutje ai theksoi se agjenda amerikane në Ballkan është në përputhje të plotë me agjendën evropiane dhe ka të bëjë me përfundimin sa më të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi, me arritjen e një marrëveshjeje.

“Të gjitha këto vizita të përfaqësuesve të lartë janë në këtë kontekst, pra të nxitjes së palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të rikthehen në dialog dhe të bëjnë kompromiset e duhura për të arritur një marrëveshje. Absolutisht, shteti i Kosovës nuk guxon ta humbë këtë momentum, sepse është një privilegj i madh, që edhe përkundër shumë krizave globale, posaçërisht luftës në Ukrainë, Amerika të mos e zhvendosë fokusin nga Kosova dhe të punojë në mënyrë intensive për rimëkëmbjen diplomatike dhe politike të shtetit tonë”, deklaroi Muhaxhiri. Sipas agjendës së publikuar nga Departamenti i Shtetit amerikan, më 25 prill, Donfrid do të qëndrojë në Kosovë ku do ta falënderojë vendin tonë për strehimin e afganëve dhe ukrainasve.

“Do të inkurajojë punën për reformat për konsolidimin demokratik dhe integrimin në institucionet evropiane dhe euroatlantike, dhe do të shqyrtojë perspektivat për përparim në dialogun e mbështetur nga SHBA-të, të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë, drejt një marrëveshjeje për marrëdhënie të normalizuara të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet tutje në agjendë. Donfrid, pas vizitës në Kosovë, do të vazhdojë turin e saj deri më 29 prill në Ballkanin Perëndimor, duke vizituar Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Sipas agjendës, njëra nga temat që do të diskutojë me Serbinë do të jetë edhe dialogu me Kosovën. Ndryshe, Ballkanin Perëndimor, gjatë javës së kaluar e vizituan edhe tre senatorë amerikanë, Chris Murphy, Thom Tilli dhe Jeanne Shahin.