Vizita e institucioneve të Kosovës në Hagë bojkotohet nga deputetët e partive opozitare

Ka tri ditë që ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu ndodhet në Holandë, konkretisht për t’i vizituar ish-krerët e shtetit të Kosovës dhe ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së të cilët ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Bashkë me ministren Haxhiu, për në Hagë ndodhen nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, si dhe deputeti Erxhan Galushi.
Por, këtë vizitë e kanë bojkotuar të gjithë deputetët e opozitës që janë pjesë e këtij Komisioni.
Indeksonline ka kontaktuar disa prej tyre për të mësuar arsyet se pse nuk i janë bashkangjitur delegacionit zyrtar nga Kosova edhe pse kishin pasur ftesë nga institucionet e vendit.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka deklaruar se nuk e ka parë të arsyeshme t’i bashkëngjitet ministres Haxhiu.
“Nuk kemi qenë të koordinuar me deputetët e tjerë të opozitës. Por, kemi konsideruar se Qeveria është e ndarë prej legjislativit”, ka thënë ajo.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj arsyen për mos shkuarjen në Hagë e ka lidhur me shpenzime të panevojshme dhe vizitën e zonjës Haxhiu e ka quajtura të paarsyeshme.
“Është shumë më mirë që këto shpenzime që i kanë bërë politikanët t’i bënin familjarët e tyre, për të afërmit e tyre, e jo për të shkuar për ekskursione të tilla”.
Sipas tij, politikanët s’kanë çka kërkojnë në Hagë. “Ne si përfaqësues politik e shoh të paarsyeshme të shkojmë atje. Unë s’jam koordinuar me askënd, pastaj e kam kuptuar që edhe anëtarët e tjerë s’kanë shkuar”.
Indeksonline ka kontaktuar edhe me deputetin e AAK-së, Besnik Tahiri, për ta marrë qëndrimin e tij rreth këtij rasti, mirëpo nuk i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Kujtjomë se ish-presidenti, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli refuzuan të takohen me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /Indeksonline/