75 Mall Live Search
13:34 / E Premte, 06 Maj 2022 / A. M.

“Vizita e Kurtit në Berlin, biznesmenët gjerman për investime në Kosovë…”, flet ambasadori, Faruk Ajeti!

Gjermani ka qenë dhe do të mbetet partner dhe aleat strategjik i Republikës së Kosovës. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Indeksonline”, ambasadori i Kosovës në Berlinin zyrtar, Faruk Ajeti.

Gjatë kësaj interviste, diplomati kosovar ka folur për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Gjermani. Ai paralajmëroi se në të ardhmen e afërt do të ketë vizita të rëndësishme në Prishtinë dhe në Berlin me qëllim të thellimit dhe të avancimit të mëtutjeshëm të raporteve të shkëlqyera në të gjitha fushat e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Ajeti ka komentuar edhe vizitën e disa biznesmenëve (miliarderë-milionerë) bërë para disa ditësh në vendin tonë. Sipas tij, këta të fundit kanë marrë përshtypjet të mira për Kosovën.

Z. ambasador, si e komentoni vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Gjermani. Çfarë ndikimi do të ketë për vendin tonë?

Ajeti: Për politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, Gjermania ka qenë, është dhe do të mbetet një partner strategjik, tradicional dhe historik. Në këtë drejtim, Gjermania konsiderohet pa dyshim në mesin e përkrahësve më të mëdhenj të Republikës së Kosovë. Mbështetja gjermane ndaj Kosovës është sa e natyrshme, aq edhe e domosdoshme.

Kështu që, vizita në Berlin e Kryeministrit të Republikës Albin Kurti është në kuadër të rolit dhe angazhimit më të madh gjerman, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Kosovë.

Vizita ka qenë mjaft e frytshme dhe përmbajtjesore si me Kancelarin Scholz ashtu edhe me Ministren e Jashtme Annalena Baerbock. Mjafton të dëgjoni deklaratën për shtyp të Kryeministrit Kurti dhe Kancelarit Scholz, ku dy liderët rikonfimojnë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Prishtinës dhe Berlinit, si dhe nga ana e Kancelarit Scholz rikonfirmimin e angazhimit edhe më të madh gjerman për të përkrahur rrugën euro-atlantike të Republikës së Kosovës.

Para disa ditësh, në Kosovë ishin për vizitë disa afarist gjerman. Çfarë konkretisht pritet prej tyre?

Ajeti: Shumica e afaristëve në të kaluarën nuk e kanë vizituar asnjëherë  Kosovën. Janë ndarë të fascinuar nga zhvillimi i përgjithshëm i Kosovës. Shpresojmë se në të ardhmen e afërt të bëhen të ditura bashkëpunimet konkrete apo partneritetet që do të zhvillohen me kompanitë kosovare. Është njëri prej grupeve më të mëdha të delegacioneve ekonomike që kanë vizituar vendin tonë.

Mund t`ju sigurojë se ky është vetëm fillimi. Në të ardhmen e afërt dhe të mesme do të kemi grupe tjera ekonomike që do ta vizitojnë vendin tonë, pasi që diplomacia ekonomike ka qenë, është dhe do të mbetet njëri prej prioritet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe të punës time.

Ambasador, ju jeni qe disa muaj ambasador në Berlin. Çfarë rezultate keni arritur deri më tash?

Ajeti: Tani nuk jam unë ai që e bëjë vlerësimin e punës time, për këtë duhet të pyesni krerët e politikes së jashtme të Kosovës. Ajo çfarë mund t`ju them është se që nga fillimi i punës time, jam zotuar se do të punoj në përforcimin e narracionit të suksesit të të shtetit të Kosovës. Ngaqë suksesi i Republikës së Kosovës është projekt i përbashkët i Kosovës, qytetarëve të saj, aleatëve e miqve tanë.

Që nga koha kur jam emëruar ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin kam gjetur një atmosferë të jashtëzakonshme për vendin tonë. Jo vetëm në Qeveri, Bundestag, Bundesrat, por edhe në disa lande që kam vizituar deri më tani dhe përshtypjet për vendin tonë janë mjaft pozitive.

Mos të harrojmë se në Gjermani jo vetëm që ekziston misioni më i madh diplomatik i Republikës së Kosovë, por edhe diasporën më të madhe në vendet perëndimore. Roli i diasporës ka qenë dhe do të jetë i pazëvendësueshëm jo vetëm në përafrimin e dy shteteve por edhe ndërmjet qytetarëve tanë. Edhe në të kaluarën është bërë shumë dhe mendojë se të gjithë së bashku, duke shfrytëzuar edhe potencialin e jashtëzakonshëm të mërgatës tonë – do të arrijmë rezultate edhe më të mira.

Si ka ecur procesi i patentë-shoferëve, pas njohjes edhe “de jure” nga Gjermania?

Ajeti: Gjermania është shteti i parë i BE-së që njeh patentë-shoferët e vendit tonë dhe kjo do të përdoret si model edhe për shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Kjo flet për avancimin e dokumentacioneve kosovare dhe flet shumë për miqësinë e dy vendeve tona. Numri i kërkesave për konvertim të patentë-shofereve është shumë i madh për shkak të numrit të madh të mërgatës tonë.

Detaje të reja për patent shoferët e Kosovës në Gjermani, nga kur dhe për  kë vlejnë patentët

Në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, kemi vendosur që me qëllim të përshpejtimit të konvertimit të patentë-shoferëve t’ia mundësojmë gjashtë misioneve konsullore në Gjermani, që edhe ato të lëshojnë vërtetime që dëshmojnë validitetin e patentë-shoferëve dhe marrjen e tyre në procedurë të rregullt në Kosovë. Sipas marrëveshjes, autoritetet gjermane kanë të drejtë të pyesin institucionet respektive kosovare, që për poseduesit e patentë-shoferëve kosovarë të marrë para 1 marsit 2018, të kërkojnë dëshmi të marrjes së patentë-shoferit në procedurë të rregullt në Kosovë. Ndërsa, për patentë-shoferët e lëshuar nga 1 marsi 2018 e tutje s’kanë nevojë fare për vërtetim. Pra, kjo vlen për ata qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët para marrjes së patentë shoferit e kanë pasur vendbanimin në Kosovë.

 /Indeksonline/ Alban Muhaxheri/