75 Mall Live Search
20:50 / E Hënë, 07 Dhjetor 2020 / Blerim

Vjehrra e motra iu punësuan në arsim, drejtori i gjimnazit në Prizren thotë se ai s’hapë konkurse

Asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Facebook, ka publikuar disa dokumente, në të cilat sipas tij figuron emri i dy familjareve, të Drejtorit të Gjimnazit “Gjon Buzuku”.

Baldedaj thotë se Jeronim Susuri ka rehatuar motrën e tij, Blerina Susurin në shkollën “Heronjtë e Lumës”, në Prizren. Por, skandali sipas tij nuk mbaron me kaq, ai ka punësuar edhe vjehrrën, Agnesa Laçi në shkollën “Haziz Tola”.

“Depolitizimi në Arsim ishte ndër prioritetet e para të Mytaher Haskukës, por premtimet mbetën vetëm kujtim nga fushata politike e Lëvizjes Vetëvendosje!

Ndërsa këto skandale do të mbeten hija më e keqe që do të kujtohen ndonjëherë në kryeqytetin tonë Historik.

Skandalet tona, tani po dëgjohen edhe në Tiranë”, ka shkruar asamblisti.

Por të gjitha këto, Susuri i quan gënjeshtra, e i njëjti në një përgjigje të shkurtë për IndeksOnline, ka thënë se qysh nesër do ta ngrit një padi ndaj tij.

“Unë nuk hapi konkurse e as nuk punësoj. Nesër kam me ngrit një padi, për shkak të gënjeshtrës. Vjehrra ime ka 33 vite përvojë pune dhe është hera e 4-të që aplikon dhe është pranuar me konkurs. Njësoj edhe anëtarja tjetër e familjes.

Kjo është pjesë e Drejtorisë Komunale të Arsimit”, ka thënë Drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku”, në Prizren.

E për këto punësime ka reaguar edhe kryetari i degës së PDK-së në këtë komunë.

“Sllogani “Erdhi dita” i VV paska qenë “Erdhi dita” për punësimin e familjarëve e militantëve !

Vetëm sot u publikuan tri raste.

Vërtet, siç ka thënë VV nuk ekziston Prokuroria”, ka shkruar në profilin e tij në FB, Shaqir Totaj./Indeksonline