13:52 / E Martë, 05 Shtator 2023 / k.v

“Vjelja e Rrushit Kosova 2023” në Suharekë – Shahini: Rrushi, vlerë e shtuar e ekonomisë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe “Agrokosova Holding” kanë organizuar aktivitetin “Vjelja e Rrushit Kosova 2023” në Suharekë.

Aktiviteti, me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po JU?”, mblodhi kultivues të rrushit, zëvendëskryeministren e Kosovës, Emilia Rexhepi, kryetarin e Suharekës Bali Muharremaj dhe përfaqësues të bizneseve vendore.

Në një fjalë rasti, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se tashmë ky është një event tradicional. Ai i bëri thirrje Qeverisë që të fokusohet më shumë në përmirësimin e kushteve për investime të huaja dhe prodhues vendor.

Sipas tij, kjo është fryma e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve.

“Prodhimtaria e Kosovës është një sektor i rëndësishëm për hallkën ekonomike të vendit, prandaj Qeveria e Kosovës duhet më shumë të fokusohet në përmirësimin e kushteve për investime të huaja dhe për prodhuesit vendor, duke i subvencionuar prodhuesit dhe eksportuesit. Kjo është e ardhmja e Kosovës sepse pa prodhim nuk mund të investohet”.

“Rrushi është vlerë e shtuar e ekonomisë së Kosovës”, tha Shahini.

Pronari i “AgroKosova Holding”, Haziz Tafaj, ka falënderuar pjesëmarrësit e këtij manifesti, AKB-në dhe komunën për mbështetjen e vazhdueshme.

“Sivjet jemi me një vit të veçantë dhe kemi arsye me qenë të lumtur për faktin se ka qenë i vështirë për rrushin por që kemi arrit me ruajt kuantitetin dhe kualitetin e rrushit. Kjo festë është më e madhe dhe uroj që vitet tjera edhe moti të jetë në favor”, u shpreh ai.

E kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, theksoi se qyteti që e udhëheq, shquhet për prodhimtari e suksese në shumë fusha. Sipas tij cilësia e rendimentit të rrushit sivjet është e lartë.

Edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emillia Rexhepi, u shpreh e kënaqur ne sukseset dhe cilësinë e rendimentit të rrushit.

Ajo premtoi mbështetje  për prodhuesit vendës nga ana e Qeverisë së Kosovës.