16:16 / E Premte, 08 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Vjen deklarata e parë e Aida Dërgutit, për përçarjen e Vetëvendosjes

Partia Vetëvendosje po dyshohet se është duke u përçarë, e gjithë kjo për shkak të një konflikti që ka ndodhur ndërmjet dy deputetëve të kësaj partie, Aida Dërgutit dhe deputetit Albin Kurti.

Kështu, të paktën, del, nga një letërkëmbim ndërmjet anëtarëve me ndikim të kësaj partie me kryetarin e Vetëvendosjes.

Mirëpo, rreth kësaj nuk ka dashur të prononcohet deputetja, emri i së cilës është lakuar të ketë konflikt, Aida Dërguti.

“Nuk mundem të deklarohem tash”, ka thënë shkurtimisht Dërguti për “GazetaBlic”.

Megjithatë, në letrën e publikuar në medie, thuhet se deputetja Dërguti ka ofenduar themeluesin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Letra nuk tregon se ç’fyerje publike ka bërë deputetja Dërguti për Kurtin, por ajo shfaq shqetësime për zhvillimet në parti dhe për ta sqaruar këtë, sidomos “fyerjen publike”, ajo kërkon mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë së Vetëvendosjes.

Se ka pasur përplasje, pa e bërë dramatik “rastin Dërguti – Kurti” e ka pranuar edhe vetë kryetari aktual i Vetëvendosjes Visar Ymeri me një letër, i cili zhvillimet e tilla ia ka quajtur normale dhe jo të dëmshme për partinë.

 

Letra e plotë:

Të nderuar aktivistë të Lëvizjes nga Tirana,

E lexova me vëmendje letrën tuaj dhe pajtohem me një pjesë të konsiderueshme të saj.

Duhet ta them në krye të herës dhe që në fillim të kësaj përgjigjes sime që në asnjë mënyrë as nuk e mbështes, as nuk e pranoj, as nuk e arsyetoj e as nuk e kuptoj gjuhën e përdorur nga Aida ndaj Albinit në asnjë rrethanë, e aq më pak në rrethanat të cilat ju i shpjegoni në letër. Kjo përkundër dyshimeve absurde të ngritura në letër. Me ta parë përdorimin e asaj fyerjeje e kam marrë Aidën në telefon dhe e kam qortuar për këtë gjë duke kërkuar nga ajo që t’i fyerjet e ofendimet menjëherë.

Sidoqoftë, kjo është një pjesë e vogël e një problemi shumë më të madh e më të thellë që e kemi në Lëvizje tash e më shumë se një vit e i cili është mirëmbajtur e vazhduar përme shumë ofendimeve, shpifjeve,, insinuatave, sulmeve, herë publike përmes rrjeteve sociale, herë përmes agjitacionit te aktivistët e njerëzit jashtë Levizjes e nganjëherë nëpër forume të Lëvizjes. Ky problem kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse e jo parciale. Aq më pak përmes kërkimit të “kokës së turkut”.

Ne të hënën do ta kemi mbledhjen e kryesisë. Aty do të diskutojmë për strategjinë tonë për rastin e 4 aktivistëve të dënuar, për strategjinë tonë rreth procesit gjyqësor ndaj 4 deputetëve, si dhe për rrethanat që po krijohen me sjelljen e sërishme të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi në Kuvend që pritet të ndodh të hënën.

Çështjen që e keni ngritur ju në letër, dhe poblemin e brendshëm në përgjithësi (kërkesa për të cilin kemi shumë, dhe së paku dy janë adresuar përmes emailit) do ta diskutojmë kur ta ketë mundësinë të marrë pjesë në mbedhje edhe Abini, marrë parasysh që kjo mund të ndodh më 7 dhjetor. Nëse Albini vazhdon të mbahet në paraburgim edhe pas kësaj date, atëherë do të flasim prapë dhe taa vendosim në rend të ditës në mbledhjen e kryesisë.

 

Ju faleminderit shumë e mirëmbetshi.

 

Miqësisht,

 

Visari

 

2017-12-02 15:57 GMT+01:00 Hysamedin Feraj :

 

Përshendetje të nderuar anëtar të Kryesisë së LVV

Ju lutemi te gjeni bashkëngjitur letrën drejtuar Juve nga:

Hysamedin Feraj, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LV

Enis Sulstarova, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LV

Elvis Hoxha, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së LV

Dejona Mihali, Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm dhe Drejtuese e Komiteteve të LV

Gearda Demiraj, Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LV

Boiken Abazi, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i LV

Gentian Sala, Aktivist i LV

Iliada Korçari, Aktiviste e LV

Sinqerisht,

Hysamedin Feraj

 

Pas marrjes së informacionit të ofendimit të Dërgutit ndaj Kurtit kanë reaguar disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes që kanë kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme për datën 4 dhjetor.

 

Letrën e dërguar nga Xhelal Sveçla dhe Boiken Abazi, dërguar më 3 dhjetor, drejtuar Ymerit dhe kryesisë së Vetëvendosjes mund ta lexoni më poshtë, pa ndërhyrje:

 

Të nderuar Anëtarë të Kryesisë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Tirana,

 

I nderuari Visar Ymeri,

E kam lexuar me shumë vëmendje letrën dërguar dje Kryesisë nga Tirana, dhe ndaj me ata që e kanë shkruar letrën të njëjtin shqetësim. Nga ana jonë është dashur të reagohet shumë më shpejtë dhe jo të mbahej e heshtur kjo çështje, siç u mbajt nga plot që e kanë ditur, deri në momentin e Letrës që erdhi nga Tirana.

Më vjen keq të them që nuk vërej po të njëjtin nivel shqetësimi nga ana e Visar Ymerit në përgjigjen e tij ndaj Letrës. Ai flet për një qortim privat që i paska bërë Aida Dërgutit. Në lidhje me këtë qortim ne nuk kemi patur asnjë informacion me herët deri para përgjigjes së djeshme të Visar Ymerit, dhe as nuk kemi dëgjuar një kërkim falje nga Aida Dërguti. Nga ana tjetër, një qortim privat, i mbajtur i fshehtë deri dje, nuk mund të quhet një përgjigje e denjë ndaj një ofendimi të rëndë publik si ai që ka bërë Aida Dërguti ndaj Albin Kurtit, dhe të gjithë Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarëve që na mbështesin, duke komunikuar në atë mënyrë absolutisht të papranueshme në Grupin e Deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kam marrë vesh që disa prej anëtarëve të Kryesisë as nuk e dinin që kishte ndodhur kjo fyrje e rëndë e Aida Dërgutit, dhe këtë gjë e morrën vesh nga Letra. Për më tepër, meqenëse Visar Ymeri në përgjigjen e tij përmend fjalën “insinuata”, më duhet të them që jam i zhgënjyer nga fakti që ai vetë ka bërë një insinuatë krejtësisht të pavend në këtë përgjigje, duke thënë se në letër është kërkuar “kokë turku”. Kjo insinuatë e tij nënkupton se po u merkan masa ndaj dikujt për fajin e tjetërkujt, ndërsa letra e delegatëve e aktivistëve e ka një fokus të qartë, bazuar mbi një gjest të papranueshëm që është bërë në sy të të gjithë deputetëve. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu, pasi po çon drejt normalizimt të këtyre gjesteve që normalizojnë fushatën negative ndaj Albin Kurtit, dhe tentojnë ta disfunksionalizojnë organizatën. Prandaj nuk ka nevojë të ngrihen insinuata të reja, por ka nevojë të diskutojmë objektivisht dhe urgjentisht në përputhje me rregulloret dhe Statutin.

Letra për reagim të menjëhershëm është e drejtë dhe legjitime, dhe nuk e pengon Lëvizjen VETËVENDOSJE! të trajtojë edhe çdo pikë tjetër të rëndësishme qoftë sa i përket Demarkacionit dhe aktualitetit politik, qoftë sa i përket strategjisë dhe çështjeve të tjera të brendshme organizative.

Ia kujtoj të gjithëve se në Rregulloren e Organeve Vendimmarrëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Nenin 14 të saj, Prg. 2, Pika “b”, specifikohet si në vijim:

Mbledhjet e jashtëzakonshme të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! thirren me:

Kërkesën e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!;

Kërkesën e 1/3 të anëtarëve të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!

 

Me bindjen e thellë në vlerat e demokracisë së brendshme që kemi sanksionuar në Statutin dhe Rregulloret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe duke qenë se nuk kemi marrë asnjë njoftim nga Kryetari Ymeri për ndonjë orar mbledhjeje për ditën e hënë, anëtarët e kryesisë së Lëvizjes kanë dhënë konfirmimin e tyre me shkrim për të mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! këtë të hënë, data 4 dhjetor, ora 10:00.

 

Anëtarët e Kryesisë që a kanë thirrur këtë mbledhje të jashtëzakonshme, duke bërë konfirmimin e tyre me shkrim, janë si në vijim:

 

  1. Fatmire Kollçaku

 

  1. Ismajl Kurteshi

 

  1. Dejona Mihali

 

  1. Boiken Abazi

 

  1. Nazlie Bala

 

  1. Elvis Hoxha

 

  1. Xhelal Sveçla

 

Marrë parasysh që numri i përgjithshëm i anëtarëve të Kryesisë do duhej të ishte 23, atëherë 1/3 e anëtarëve të Kryesisë do duhej të ishte 8 anëtarë. Por numri aktual i anëtarëve të kryesisë nuk është 23, është tre më pak, e megjithatë kërkesa e nënshkruar nga anëtarët që kanë thirrur këtë mbledhje të jashtëzakonshme e përmbush dhe tejkalon kriterin e vendosur në Nenin 14 të Rregullores.

Për këtë mbledhje duhet marrë parasysh se 3 anëtarë të Kryesisë kanë dhënë tashmë dorëheqjen nga Kryesia (Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Ylli Hoxha) dhe në ndërkohë Albin Kurti e ka të pamundur pjesëmarrjen për shkak se regjimi e ka vendosur në paraburgim si pasojë e faktit që ai dhe deputetët e tjerë të Levizjes kanë dalë në mbrotje të Republikës. Në këto rrethana, numri maksimal i anëtarëve të Kryesisë tonë aktuale është 20, ndërsa Albin Kurti nuk merr dot pjesë në mbledhje. Këto rrethana dhe numri aktual i anëtarëve të Kryesisë do të merren parasysh nesër në të gjitha vendimet që do të marrë kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Rrjedhimisht mbledhja e jashtëzakonshme që do të mbahet ditën e hënë, data 4 dhjetor 2017, ora 10:00 është edhe në përputhje me Rregulloren edhe e domosdoshme për shkak të situates së rëndë që është krijuar. Të gjithë anëtarët e Kryesisë që kanë dhënë nënshkrimin e tyre për mbledhjen e nesërme e kanë dhënë këtë nënshkrim duke u shprehur se kjo mbledhje do të fillojë me pikë të parë të Rendit të Ditës çështjen e shtruar në letrën e datës 2 dhjetor 2017, drejtuar Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe me tej do të vazhdojë me të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme, përfshirë Demarkacionin, strategjinë tonë, etj.

I ftojmë të gjithë anëtarët e Kryesisë të vinë nesër në orar për të marrë pjesë në këtë mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë së Lëvizjes.

Me respekt,

Xhelal Sveçla dhe Boiken Abazi