75 Mall Live Search
12:07 / E Martë, 16 Qershor 2026 / H F

Vjen drita e gjelbër nga senati: Zvicra shton praninë ushtarake në Kosovë

Senati zviceran ka miratuar rritjen e numrit të ushtarëve që mund të angazhohen në kuadër të misionit Swisscoy në Kosovë, duke i hapur rrugë qeverisë që të vendosë deri në 300 pjesëtarë ushtarakë në këtë mision paqeruajtës.

Vendimi vjen pasi edhe Dhoma e Përfaqësuesve kishte mbështetur më herët këtë propozim. Deri më tani, numri maksimal i personelit ushtarak zviceran në Kosovë ishte 215.

Parlamenti zviceran ka autorizuar gjithashtu Këshillin Federal që, nëse paraqitet nevoja, të dërgojë deri në 85 ushtarë shtesë në Kosovë për një periudhë të pacaktuar, raportoi Swissinfo.ch.

Gjatë vitit të kaluar, Senati kishte propozuar një rritje më të kufizuar, prej 30 ushtarësh shtesë, por në fund mbështeti variantin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Në të njëjtën kohë, autoritetet zvicerane kanë vendosur që misioni Swisscoy të vazhdojë deri në vitin 2029.

Miratimi i këtyre masave vjen në një moment kur NATO ka paralajmëruar mundësinë e reduktimit gradual të pranisë së saj ushtarake në Kosovë.