75 Mall Live Search
19:03 / E Mërkurë, 04 Shkurt 2026 / Z S

Vjosa Osmani kundër shtrenjtimit të ri të rrymës, do t’i drejtohet ZRrE-së

Veç një vit pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë miratoi shtrenjtimin e energjisë elektrike me 16 për qind, KESCO, ka dorëzuar kërkesë të re për shtrenjtim të rrymës, kësaj here prej rreth 21 për qind. Presidenca e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të mbajë qëndrim kundërshtues ndaj çdo rritjeje eventuale të tarifave, duke paralajmëruar se do të dorëzojë komentet e saj sapo të hapet thirrja publike.

“Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes së Kosovës në një përgjigje me shkrim për Nacionalen. “Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”.

Ky qëndrim, siç lë të kuptojë Presidenca e Kosovës, pritet jetë të riprodhim i kundërshtimit institucional që Presidenca kishte bërë edhe vitin e kaluar, kur ZRrE po shqyrtonte rritjen e tarifave për vitin 2025. Në dokumentin e datës 28 mars 2025, Presidenca e Kosovës kishte kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke argumentuar se një vendim i tillë ishte “në kundërshtim me kornizën ligjore” dhe se “injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend”.

Në atë dokument, Presidenca kishte theksuar se ZRrE, sipas Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, kishte obligim parësor mbrojtjen e konsumatorit dhe se rritja e tarifave nuk mund të trajtohet si një zgjidhje e izoluar për problemet strukturore të sektorit energjetik. “Përkrahja e rritjes së çmimit të energjisë si një zgjidhje e parë do të sillte një barrë të madhe për qytetarët”, thuhej në reagim.

This image has an empty alt attribute; its file name is Screenshot-2026-02-04-184249.png

Një nga argumentet kryesore të Presidencës lidhej me ndikimin zinxhiror të rritjes së çmimit të energjisë në ekonomi. Dokumenti paralajmëronte se shtrenjtimi i rrymës do të ngriste inflacionin, do të rriste koston e jetesës dhe do të godiste drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve, veçanërisht në një periudhë kur çmimet e produkteve bazë tashmë ishin të larta.

Sipas të dhënave në dokumentin presidencial, rritja kumulative e tarifave të energjisë në Kosovë në katër vite kishte arritur pothuajse 126 për qind, ndërsa periudhat e rritjeve më të mëdha kishin përkuar me norma të larta inflacioni. Presidenca theksonte se krahasimi i çmimit të energjisë në Kosovë me vendet e rajonit nuk mund të bëhet pa marrë parasysh të ardhurat mesatare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Një tjetër pikë e kundërshtimit ishte mungesa e transparencës nga operatorët energjetikë. Presidenca kishte vënë në dukje se raportet financiare për vitin paraprak nuk ishin publikuar dhe se kjo e bënte të vështirë vlerësimin real të humbjeve dhe kostove që përdoren për të arsyetuar rritjen e tarifave nga KESCO. Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e rritjes së kostove lidhej me dështimin e KEK-ut për të realizuar prodhimin e planifikuar, çka kishte detyruar import më të madh të energjisë me çmime më të larta.

Në vend të rritjes së çmimeve, Presidenca kishte propozuar masa alternative, përfshirë subvencionimin e energjisë për kategoritë më të prekura, kufizimin e humbjeve të lejuara për operatorët, përmirësimin e pagesës së faturave në komunat veriore, reduktimin e përkohshëm të TVSH-së për energjinë elektrike dhe krijimin e skemave për pagesa me këste.