18:04 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / B H

Vjosa Osmani ndanë medaljen Presidenciale të Meritave post mortem, punonjësve shëndetësor që humbën jetën nga COVID 19

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani edhe pse është personalisht e infektuar me COVID 19, ka vendosur që t’i dekorojë me medalje Presidenciale të Meritave, personelin shëndetësor që kanë humbur jetën, pas infektimit me coronavirus.

Ajo ka thënë se mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.

“Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion”, ka bërë të ditur Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ajo ka thënë se ceremonia e ndarjes së dekoratave do të organizohet së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrin nga institucionet përgjegjëse.