75 Mall Live Search
20:24 / E Mërkurë, 25 Shtator 2019 / indeksADMonline

Vjosa Osmani nga sheshi në Prishtinë: LDK synon t’ia rikthejë fronin popullit!

LDK hapi zyrtarisht fushatën elektorale, e këtë e bëri në sheshin kryesor të Prishtinës.

Kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, iu drejtua simpatizantëve dhe qytetarëve duke falënderuar ata për përkrahje.

Indeksonline sjellë fjalimin e saj:

 “Sot jemi më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë për fitoren e LDK-së dhe Kosovës dhe në njerëzit e saj të mirë. Jam sot para jush me zemrën plot dhe bindjen e thellë se nuk ka asgjë në botë që mund ta ndalë rrugën që e kemi nisur, atë të fitores. Ne si popull kemi kaluar nëpër sfida të cilat i kemi tejkaluar falë ideatorit të themeluesit të shtetit të Kosovës presidentit historik Ibrahim Rugova dhe falë sakrificës e luftës së popullit tonë për liri. Përkulem sot dhe çdo ditë para sakrificës së familjes Jashari dhe heronjve e heroinave të Kosovës.

LDK ka një trashëgimi të madhe politike që do t’na ndihmojë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës që e nisi LDK dhe do ta përfundojë LDK.

Të nderuar bashkatdhetarë, ora e ndryshimit të madh në shtetin tonë të dashur po vjen, LDK në aleancë me ju do t’i thotë lamtumirë shpërdorimit dhe keqqeverisjes së keqe në vend.

LDK ashtu si në kohën e Rugovës po hyn më e fortë se kurrë. 6 tetori, mbajeni në mend do të çlirohemi nga ata që e vunë në lojë miqësinë jetike më SHBA-të dhe BE-në.

Fitorja jonë do ta kthejë Kosovën plot dinjitet në hartën e vendeve të lira. Ne sot dalim para jush me një program politik e program qeverisës modern, me shanse të barabarta për të gjithë, me arsim e shëndetësi.

Programi jonë do t’ia hap Kosovës dyert e mbyllura. Qeveria e udhëhequr nga LDK do ta shpërthejë izolimin.

Për LDK siguria publika, rendi e ligji janë domosdoshmëri. Që drejtësia të jetë e pavarur nga politika e krimi. Që bizneset të punojnë lirshëm. LDK në këto zgjedhje e ka vënë në qendër të saj familjen dhe rininë, sepse janë shtyllat kryesore të qëndresës sonë.

Brezi ynë do ta shoh të ardhmen në Kosovë. Shëndetësinë do ta trajtojmë si emergjencë kombëtare, sepse ai është mbi të gjitha, mbi politikën dhe profitet.

Fokusi i investimit publik nga asfalti në shëndetësi.

Gjatë vitit të parë qeverisës LDK do t’i rihap dyert që janë mbyll, do ta rikthejë miqësinë ekzistenciale për ne. Gjatë viteve të fundit i kemi festuar sukseset e sportistëve, sa herë që ata janë ngjitur në piedestalin, ndërsa flamuri jonë është valëvitur, i kemi festuar sukseset e kombëtares në futboll, duke na bindur se Kosova mund të ndeshet me kombëtare të fuqishme, ky është shpirti ngadhënjyes i rinisë sonë.

LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet shkollë e mendimit politik në Kosovë. Ne u japim mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve, ky s’është vetëm slogan, prandaj nga 6 tetori unë do të jem kryeministre, pavarësisht bindjeve tyre politike, moshës, etnisë, gjinisë, regjionit e religjionit.

Këtë e din edhe kundërshtarët tanë që kishin tentuar të mblidhen në Mitrovicën, por s’po e din që e gjithë Mitrovica është këtu, e gjithë Kosova është këtu.

Nga 6 tetori Kosova do t’i kthehet vetvetes. Republika e Kosovës është e përjetshme.

Presidenti Rugova thoshte, lidhja jonë LDK është e fort e nuk shprishet se bazohet në besim, ajo e ruajti dhe forcoi shumë besimin me qytetarin, prandaj ju ftojmë kudo që jeni në Kosovë e mërgim që ta votoni LDK-në, t’i votoni kandidatët tonë.

Nga tani ju do të keni një kryeministre që do të kujdeset për ju, sepse secili fëmijë i sëmurë në spital është edhe fëmiu im, sepse çdo i moshuar me penzion është edhe gjyshi im, sepse cila andërr e thyer e një vajze të re është andërr e thyer edhe e imja, secila nanë që e percjellë në stacionin e autobusëve fëmijën e vet është edhe e imja. Unë jam njëra nga ju dhe e tillë do të mbetëm përherë”./Indeksonline/