11:47 / E Shtunë, 28 Nëntor 2020 / OSH

Vjosa Osmani telegram Ilir Metës: 28 Nëntori, ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar

Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami e ka uruar Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta për festën e Flamurit, 28 Nëntorin.

“Flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit në histori. Ai është trashëgimi e përjetësuar në simbol. Qysh nga koha e Skënderbeut, ai i bën krenarë shqiptarët dhe i bashkon rreth një fryme. Prandaj, ata janë fort të lidhur për të, sepse, përveç tjerash, ua simbolizon lirinë. Kështu qe në Krujë, më 1443, në Vlorë më 1912 e në Prishtinë, më 1999. Prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar”, thuhet në telegramin e u.d. Presidentes dërguar presidentit Meta.

Në telegram, thuhet se Dita e Flamurit është e veçantë, ndaj duhet rikujtuar trashëgimia jonë historike e kulturore.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillim shekullit XX e tjetra e fillim shekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, përfundon telegrami i Osmanit dërguar Metës.