75 Mall Live Search
10:41 / E Shtunë, 22 Gusht 2020 / indeksADMonline

Vjosa Osmani uron Talat Xhaferin për rizgjedhjen në postin e kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar një telegram urimi homologut të saj, Talat Xhaferi për rizgjedhjen në postin e kryetarit të parlamentit në Maqedoni e Veriore.

Osmani ka thënë se në një kohë të afërt e pret një vizitë zyrtare nga Xhaferi në Kosovë për të vazhduar bashkëpunimin mes dy vendeve, transmeton Indeksonline.

Telegrami i plotë:

I nderuar z.Xhaferi,

në emër timin personal dhe të Kuvendit të Kosovës, pranoni urimet e përzemërta me rastin e rizgjedhjes në detyrën e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut!

Kam besimin e plotë se në këtë mandat tuajin do ta intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve, duke shkëmbyer praktikat dhe përvojat parlamentare, si dhe duke zhvilluar diplomacinë parlamentare.

Rritja e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë një fuqizim i demokracisë, hapje e perspektivës evropiane dhe forcim i marrëdhënieve ndëretnike, në funksion të një Maqedonie të Veriut stabile dhe me orientim evropian.

Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut tradicionalisht kultivojnë marrëdhënie miqësore në të gjitha sferat! Ndaj, në një kohë të afërme, pres një vizitë tuajën zyrtare në Republikën e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin bilateral si dhe për të hapur perspektiva të reja në interes të të dy shteteve fqinje.