75 Mall Live Search
10:38 / E Martë, 15 Dhjetor 2020 / OSH

Vjosa Osmani vizitë zyrtare në Shqipëri

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës,Vjosa Osmani, nga 16-18 dhjetor do të vizitojë Shqipërinë.

Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh, ndër to me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama si edhe kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Njoftimi i plotë:

U.d. e presidentes së Republikës së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, nga 16-18 dhjetor do të vizitojë Shqipërinë vizitën e parë zyrtare prejse e ka marrë detyrën.

Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, u.d. e presidentes së Republikës së Kosovës, zonja Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh.

Të mërkurën (16 dhjetor), në orën 13:30, u.d. e presidentes do të bëjë nderime te Memoriali i Gjergj Kastriot – Skënderbeu në Lezhë.

Kurse, në orën 15:30, Osmani, do të pritet me ceremoni shtetërore nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa, në orën 17:00, do të mbajnë konferencë të përbashkët shtypi.

Të enjten (17 dhjetor), në orën 09:30 Osmani do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Vendi: Zyra e kryetarit të Kuvendit, Kryesia e Kuvendit përballë godinës se Kryeministrisë).

Ndërsa në orën 10:15, u.d. e presidentes, do të bëjë nderime dhe vendosë kurora lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Ndërkaq, në orën 12:30, u.d. e presidentes së Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Në orën 16:00, zonja Vjosa Osmani do të takohet me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Të premten (18 dhjetor), në orën 10:00, Osmani do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Vendi: Selia e PD-së).

Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës, do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të Çelësit të Qytetit.

Kurse, në orën 11:45, Osmani do të ketë takim me ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.