08:37 / E Enjte, 03 Maj 2018 / indeksADMonline

Vlera e Euro-s, më e ulëta në nëntë vitet e fundit

Euro u zhvlerësua sërish ndaj lekut ditën e mërkurë, duke arritur vlerën më të ulët të nëntë viteve të fundit.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit, publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro u këmbye me 127.92 lekë. Ky është niveli më i ulët i kursit që nga shkurti i vitit 2009, shkruajnë mediat shqiptare.

Ekspertët e tregut valutorë nuk janë në gjendje të identifikojnë faktorë të rinj në zhvlerësimin e euros, me përjashtim të ofertës së lartë të kësaj monedhe në tregun valutor, fenomen që po regjistrohet tashmë prej disa vitesh.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo ofertë e rritur e euros ka ardhur falë përmirësimit të bilancit të llogarisë korrente dhe rritjes së investimeve të huaja direkte, përcjell albinfo.ch.

Sidoqoftë, për t’u theksuar është se në ditët e fundit euro po zhvlerësohet edhe kundrejt valutave të tjera në tregjet ndërkombëtare dhe sidomos ndaj dollarit amerikan.