22:32 / E Mërkurë, 22 Shtator 2021 / OSH

Vllahiu për vendimin e targave: “Është legjitim dhe duhet të vazhdojë, por Qeveria duhej komunikuar me serbët e veriut

Ish- ambasadori i Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu, e ka vlerësuar pozitivisht vendimin për vendosjen e reciprocitetit për targa mes Kosovës e Serbisë.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova ai tha se zbatimi i kësaj marrëveshjeje duhet të vazhdojë deri në fund, sepse e vendos vendin tonë në barazi mes shteteve.

“Vendimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, është vendim i ligjshëm dhe legjitim, d.m.th ka pasur një afat të caktuar deri në ditën kur ka filluar të zbatohet çështja e reciprocitetit në targa. Ky ka qenë problemi më i madh sepse të gjitha vendet e BE-së kanë qenë të njoftuara me problematikën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe trajtimit të qytetarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë. Ky vendim institucionalisht është jashtëzakonisht i mirë, dhe e vendos Kosovën në baraspeshë të barabartë në raport me Serbinë dhe duhet të vazhdohet të zbatohet deri në fund”.

“E kuptojmë që ka trysni e presione, por realisht kjo është e vetmja mënyrë që të vendoset një baraspeshë në rajon dhe barazi në mes të shteteve. Duhet ta kuptojmë se ky vendim vjen si pasojë e vendimeve të mëhershme”.

“Është vendim legjitim sepse është bazuar në një vendim legjitim të Qeverisë së Kosovës, i bazuar në një dokument të nënshkruar me marrëveshje të Brukselit.  Është edhe vendim që  përputhet me fushatën parazgjedhore.”

Vllahiu megjithatë tha se Qeveria për këtë vendim është dashur të fliste me qytetarët e saj serbë.

“Në këtë mes kemi problem shumë të madh, sepse i janë dërguar njësitet speciale për me t’u zbatuar një vendim që ka mundur të zbatohet prej njësisë doganore atje. Po ashtu tjetra është se duke e frikësuar një pjesë të popullatës tënde, e ke dëbuar dhe nuk e ke më pjesë tënden, sepse edhe ashtu serbët e veriut kanë qenë të tillë, qoftë për shkak të politikave të Beogradit ose arsyeve të tjera”.

“Është vendim legjitim dhe që duhet të vazhdohet në zbatim, por komunikimi me qytetarët e tij dhe në këtë rast me serbët është obligativ dhe është diçka që e ka proklamuar vet qeveria, si dialog me komunitetin serb dhe ky është dashur të zhvillohet deri me sot”, përfundoi Vllahiu.