23:29 / E Hënë, 20 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Vllasi: LDK e AAK fituese të zgjedhjeve, PDK-ja e teproi me fushatë

Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi konsideron se procesi zgjedhor ka shkuar mirë, marrë parasysh që nuk është paraqitur ndonjë parregullsi e madhe.

Sipas tij, çdo gjë ishte e organizuar me një standard evropian, porse shqetësuese ishte dalja e vogël e votuesve. “Procesi zgjedhor ishte qetë, pa probleme dhe pa parregullsi të posaçme. Çdo gjë ishte me një standard evropian.

Dalja e votuesve ishte e vogel dhe kjo është për arsye se ka pas shumë koalicione jo parimore për balotazh në disa komuna dhe kjo i ka habitur paksa qytetarët.”, ka thënë Vllasi për Indeksonline.

Vllasi thotë se partia e Isa Mustafës ka rezultuar më e suksesshme në këto zgjedhje pasi që do të udhëheqë në shumë komuna. “LDK ka kaluar më së miri, pasiqë ka fituar në 8 komuna.

LDK tek qytetarët lë përshtypje si një parti më e sofistikuar më e matur, pa premtime të rrejshme.”, ka thënë ai tutje. Kurse sa i përket AAK-së, Vllasi thotë se për rezultatet e kësaj partie duhet falënderuar Ramush Haradinaj.

“AAK-ja ka kaluar mirë nëpër komuna dhe kjo duhet falënderuar faktin se lideri i kësaj partie është kryetar i qeverisë dhe sigurisht në ato komuna qytetarët presin më shumë investime, më shumë përkrahje nga pushteti qendror”, konsideron ai. Ndërkaq në rënien e PDK-së, sipas Vllasit ka ndikuar fushata shumë e ngarkuar e kësaj partie. “ PDK ka një rënie me krahasim me zgjedhjet e kalume, pikërisht si ka pas rënie edhe në zgjedhjet qendrore, fushata e kësaj partie ka qenë shumë e ngarkuar me parulla me fraza po pak me oferta të prekshme dhe bindëese për votuesit.”, tha ai.

Sipas Vllasit, koalicioni mes VV-së dhe AKR-së ishte krejtësisht i pakuptueshëm dhe i pakjartë.

“Koalicionet nëpër komuna dukeshin më shumë koalicione interesave të ndryshme, të padukshme. Prej tyre më absurde dukej koalicioni në Prishtinë mes VV-së dhe AKR-së nga fakti se në koalicionin parazgjedhor AKR ishte në koalicion me LDK-në dhe dukej koalicion i bindshëm me parime”, ka shtuar Vllasi./Indeksonline/