Vllasi: Mos të lejohen të kandidojnë ata që e turpëruan shtetin, këta njerëz s’mund të na udhëheqin më

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës që prej zgjedhjeve të mbajtura në shkurt ka shkaktuar bllokadë institucionale dhe reagime të forta në opinionin publik.
Azem Vllasi, njohës i çështjeve politike, ka kritikuar ashpër klasën politike, duke veçuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti, si përgjegjësit kryesorë për këtë situatë.
“Krerët e partive politike të zgjedhur deputet në Kuvend, që prej 9 shkurtit e bllokuan punën e parlamentit, e dëmtuan dhe e turpruan shtetin. Fajin e kanë të gjithë nga pak, por më së shumti VV-ja dhe Albin Kurti. Këta njerëz interesat personale e partiake dhe lakminë për pushtet i qiten para interesave të popullit dhe të shtetit” , ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.
“Si duket, nuk ka zgjidhje tjeter veçse të shkohet në zgjedhje të reja. Por nëse është e mundur që këta njerëz që na kanë sjell në këtë gjendje MOS të lejohen të kandidojnë. Votuesit të nxjerin mësime nga kjo që pamë, dhe këta njerëz mos t’i votojnë. Shpresoj të kemi nxjer mësime të duhura dhe mos lejojmë edhe një shans që të njejtit njerëz të bëjnë hajgare me popull dhe ta dëmtojnë shtetin. Edhe nga kjo që pamë për këta gjasht muaj dëmi është I pariparushëm”, ka theksuar tutje ai.
Situata aktuale mbetet e pasqaruar, ndërsa shteti përballet me pasiguri institucionale dhe zhgënjim qytetar. Vëzhguesit politikë paralajmërojnë se mungesa e një zgjidhjeje të shpejtë mund të përkeqësojë edhe më tej krizën demokratike në vend./IndeksOnline/