75 Mall Live Search
20:32 / E Martë, 30 Shtator 2025 / MSH

Vllasi thotë se partitë kanë qëllim zgjedhje të reja: Të gjithë ishin të pakënaqur me rezultatet e 9 shkurtit

Analisti i njohur politik, Azem Vllasi, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që njoftoi sot se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.

Kushtetuesja obligoi deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komuniteti brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.

E tërë kjo, sipas Vllasit, është lojë e LVV-së dhe të tjerëve, për qëllim shkuarjen në zgjedhje të reja.

Që moti kam deklaruar se krejt këto lojëra të LVV-së, por edhe të tjerëve, lidhur me moskonstituimin e Kuvendit, kanë për qëllim shkuarjen në zgjedhje të reja. Sepse me rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit të gjithë ishin të pakënaqur. VV-ja ngase nuk kishte më shumë se 50 vende e bashkë me pakicat jo-serbe me qeverisë vet, sikur 4-5 vitet e kaluara, ndërsa këta të tjerët të pakënaqur sepse nuk mund të çonin VV-në në opozitë” u shpreh Vllasi për IndeksOnline.

Sipas vlerësimit të tij, shkuarja në zgjedhje të reja, tani për tani, duket e pashmangshme.

“Tash, shkuarja në zgjedhje të reja duket e pashmangshme, ngase këtë e duan të gjitha grupet parlamentare e partiake. Por nëse kjo ndodhë, votuesve iu mbetet që këta që janë tani në parlament, ti mbajnë mend dhe në votimet e reja mos t’ua japin votën. Le ta provojnë me emra tjerë” argumentoi Vllasi.

Mbetet të shihet se kur do të mbahet seanca e parë që prej vendimit të sotëm të Gjykatës./IndeksOnline/