14:55 / E Diele, 26 Maj 2024 / LB

Vllasi tregon pse Vetëvendosjes i konvenojnë tani zgjedhjet

Partia Demokratike e Kosovës po insiston që deri më 30 maj të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

E gatshme për të votuar shpërndarjen po tregohet edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por jo edhe LDK- e AAK.

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi thotë se partisë në pushtet i konvenojnë zgjedhjet e parakoshme, sepse ka shansin që të fitoj përballë opozitës aktuale.

Por, më vonë, sipas tij, i zvogëlohen shansat dhe për këtë ai jep një arsye.

“Më vonë i zvogëlohen shansat nga gabimet që po i bën, e sidomos për faktin se gjithnjë po e izolon Kosoven nga shtetet perëndimore prej cilave esencialisht varet stabiliteti dhe ardhmëria e shtetit tonë”, ka thënë Vllasi për IndeksOnline.

PDK po insiston që Kuvendi të shpërndahet javën tjetër dhe zgjedhjet të mbahen më 7 korrik. Kreu i këtij subjekti, Memli Krasniqi u ka dërguar një letër Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt për të arritur konsensus për këtë çështje.

Ndërsa, LDK dhe AAK po kërkojnë që në zgjedhje të shkohet me dorëheqje ose shkarkim të Kurtit e jo përmes shpërndarjes së Kuvendit./IndeksOnline/