Vllasi: Vendimi i Kushtetueses për nënkryetarin serb krejt e ka bërë “llugë”

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka theksuar në vendimin e saj se përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë në Kuvend, përfshirë edhe në Kryesinë e tij, është një detyrim kushtetues. Në pikën 156 të vendimit, Gjykata vlerëson se nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një nënkryetar nga komuniteti serb, Kryesia do të mbetet e paplotë dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Për këtë çështje, njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, ka dhënë komentet e tij.
“Gjykata Kushtetuse disa here është munduar ta ndihmoi Kuvendin të del nga paraliza që vet grupet parlamentare e kanë shkaktuar. Por me këtë vendimin e fundit lidhur me zgjedhjen e një nënkryetari të Kuvendit nga radhët e pakices serbe, krejt e ka bërë llugë.”. ka thënë Vllasi në një prononcim për IndeksOnline.
Vllasi thotë se, pasi kandidatura e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit nuk mori mbështetjen e deputetëve, zgjidhja e vetme që mbetet është që ata të votojnë një përfaqësues nga Lista Serbe.
“Pasi që nuk ia dhanë voten Nenad Rashiqit, deputetët duhet ta votojnë një kandidat nga Lista serbe për nënkryetar dhe t’i vihet pikë kësaj çështje. Asnjë nënkryetar I Parlamentit nuk ka kurfar pushteti funkcional. Nuk dihet tashti kush po e saboton funkcionalizimin e Kuvend dhe zgjedhjes të Qeverisë funkcionale”, theksoi tutje ai.
Gjykata Kushtetuese ka bërë të qartë se pa përfaqësimin e komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit, nuk mund të ketë konstituim të plotë institucional. Megjithatë, në mungesë të një marrëveshjeje politike për kandidatin, Kuvendi vazhdon të mbetet në një ngërç, ndërsa zërat kritikë, si ai i Azem Vllasit, paralajmërojnë për pasoja negative në funksionimin e institucioneve.