75 Mall Live Search
13:22 / E Martë, 16 Mars 2021 / AR

Vlora Çitaku vazhdon ‘laritjen’ ndaj Albin Kurtit – ai as që merret me të

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, po e vazhdon flirtin me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në rrjetin social Twitter, duke iu “laritur” me mesazhe pozitive për të, por Kurti po vazhdon ta injorojë atë duke ia lënë “seen” mesazhet Çitakut.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, e cila u shkarkua nga detyra në Qeverinë Kurti 1 me akuza për njëanshmëri politike gjatë përfaqësimit të Kosovës në SHBA, aktualisht është e papunë dhe po qëndron në Kosovë.

Herë pas here kur Albin Kurti bën postime apo shpërndarje të lajmeve të ndryshme, ish-diplomatja kosovare ia shpërndan postimet atij duke e lavdëruar, por deri tani nuk është se ka marrë ndonjë përgjigje pozitive nga Kurti.

Derisa Kurti ka uruar dje Dua Lipën për çmimin prestigjioz “Grammy” për albumin më të mirë të zhanrit pop, postim të cilin e ka rishpërndarë babai i Dua Lipës, duke e shoqëruar postimin e Kurtit me simbole të zemrës, Vlora Çitaku ka shpërndarë më pas postimin e Albin Kurtit, duke e etiketuar këtë të fundit me fjalët: “Mirë se erdhe në grup”.

“Hey, Albin Kurti mirë se erdhe në grup”, ka shkruar Çitaku.

Burime të afërta me zonjën Çitaku kanë treguar se ajo mban komunikim privat me zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes pasi ka njohje private me ta.

Vlora Çitaku është ftuar nga Partia Demokratike e Kosovës që të kandidojë për deputete në zgjedhjet e fundit parlamentare, por ajo nuk i është futur kësaj gare.

Ajo ka qenë më parë ministre e Integrimeve Evropiane dhe pjesë e kabineteve politike të ish-kreut të PDK-së, Hashim Thaçi.